Komunitet

15 të vdekur nga aksidentet gjatë qershorit, të rinjtë shkaku kryesor

Gjatë muajit qershor 2021 në Shqipëri raportohen 124 aksidente nga 115 të ndodhura në qershorin e 2020-s. Nga këto aksidente janë lënduar 143 qytetarë, nga të cilët 15 kanë humbur jetën.

Sipas Instat, dallimi i madh midis numrit të aksidenteve nga i gjithë 6 mujori i parë i vitit 2020, me vitin aktual ndodh nga kufizimi i lëvizjeve nga pandemia.

Në 6 mujorin e parë 2021, në vend janë regjistruar 671 aksidente, 875 të lënduar dhe 105 të vdekur.

Instat raporton se masa më e madhe e aksidenteve, 86.3% e rasteve  gjatë qershorit 2021 kanë ndodhur nga sjellja e shoferit dhe nga grupmosha 25–34 vjeç. Aksidentet me protagonistë meshkuj janë në numër më të madh se sa me femrat, rrjedhimisht edhe të lënduarit janë në masë meshkuj.

Qarku me numrin më të madh të aksidenteve mbetet Tirana me 53 aksidente në një muaj, lidhur kjo me numrin më të madh të banorëve, mjeteve motorike dhe aktiviteteve. Pas Tiranës, është Durrësi me 16 aksidente.

Gjatë qershorit në rrugën Fier-Vlorë ndodhi një aksident tragjik që la të vdekur 4 anëtarët e një familjeje, duke ngritur në këmbë ndërgjegjen qytetare dhe atë institucionale.

Eksperti i Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, në një komunikim me gazetën "SI" tregoi se Shqipërisë i mungon një institucion që studion shkaqet e aksidenteve. Në bazë të të cilës do të merreshin masa tekniko-organizative dhe bashkërenduese me të gjitha dikasteret e sigurisë rrugore në vendin tonë. Mungesa e një strukture të tillë ka sjellë masa sipërfaqësore në bazë të perceptimit të policisë së shtetit, sipas ekspertit Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë