Politike

15 mijë aplikime të reja, Rama: Kush do të përfitojë nga paketa e zgjeruar…

“Të gjitha bizneset e vogla që nuk janë mbyllur si rezultat i urdhrave por nuk kanë pasur mundësi të nxjerrin të ardhurën bazë për të jetuar normalisht, do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar, por jo njësoj si të tjerët që u mbyllën që në ditën e parë…”, - tha sonte në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Open” në TCH. Kryeministri theksoi se, në fillim të javës së ardhshme qeveria do të shpalosë paketën e zgjeruar që do të adresojë kryesisht problematikën e atyre që  sot në nevojë. Bëhet fjalë për bonusin e luftës që sipas Ramës do të përfitohet deri në fund të majit.

“Njësitë (e vogla) tregtare do të mbështeten me pagë lufte. Kanë aplikuar shumë biznese të tjera, rreth 15-16 mijë. Është një numër biznesesh të tjera, të cilat nuk janë mbyllur me urdhër, mobileri të vogla, rrobaqepësi të vogla, servise makinash, fizioterapi, lavazhe të licencuara, agjenci turistike, hidraulikë, elektriçistë, që ne nuk i kemi mbyllur por de fakto janë faktikisht pa të ardhura. Këta nuk janë refuzuar për t’u ndihmuar nga ne në këtë aplikim. Do jenë të gjithë taksixhinjtë apo punonjës së linjave urbane do të jenë pjesë e paketës së zgjeruar. Ju them bëni durim. Nuk premtojmë mrekullira…”, tha ai. Rama kishte një kërkesë edhe për biznesin e madh. “Dua tu bëj një thirrje të fortë bizneseve të mëdha që në këtë kohë të ndihen në detyrim për të njohur kontributin e punonjësve të tyre dhe të mos bëjnë lojëra me ta. Besoj që do kemi mundësi të flasim edhe për shumë kërkesa të bizneseve të mëdha që meritojnë një adresim…”, tha ai. Rama u fokusua disa herë tek biznesi i madh, duke u shprehur se disa prej kërkesave të tyre si mospagim dritash as nuk do të merren parasysh: “Le të shesin jahtin, apo shtëpinë e tretë që kanë dhe t’i paguajnë”  

Sipas tij, lufta mund të zgjasë përtej parashikimeve, ndaj duhet të përgatitemi edhe për t’u lehtësuar pak nga pak. Këto lehtësira, sipas tij, do të vijojnë që javës tjetër. “…Me këto masa (do të shikojmë nëse do të na lejojnë shifrat që vijnë nga vija e zjarrit), ti japim mundësi punës të rifillojë në pjesën e saj më të madhe. Nuk mund të hapim menjëherë restorantet e baret, por do të kemi një rregullore të bashkëjetesës me armikun në territor. Duhet të përgatitemi për një jetë që mund të zgjasë 3, 5 apo 8 muaj me rregulla të reja...”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë