Nga Anxhela Celanji - “Nuk e kam dashur ta bëj vaksinën asnjëherë dhe nuk dua. As për prindërit nuk kam dashur ta bëjnë po u detyruan, siç po detyrohem unë tani. Kam dëgjuar se mund të humbas vendin e punës dhe prandaj do detyrohem ta marr, po me qejf nuk e kam,” tregon për Gazetasi.al Rajmonda. D, një mësuese e ciklit nëntë vjeçar në një nga shkollat e qytetit te Durrësit.
Mësuesja thotë se në fillim nuk ka dashur të bëjë vaksinën që u përcaktua për ta, që ishte AstraZeneca, por tani që e ka menduar më mirë dhe ka dëgjuar shumë raste ku të vaksinuarit kanë pasur probleme shëndetësore, mendon se asnjë vaksinë nuk është efikase.
“Kur u bënë vaksinat për 1 vit. Të gjitha vaksinat që kemi marrë më parë janë studiuar për më shumë se 10 vjet. Efikasitetin e kësaj nuk kam si ta besoj”shton më tej ajo.
Refuzimi i vaksinimit nga shumë njerëz është kthyer në problem edhe në Shqipëri. Nisur nga kjo dhe nga mbulesa e ulët vaksinale në vend, Ministria e Shëndetësisë vendosi të hënën se tre kategori do të ishin të detyruara për të bërë vaksinën.
Ministrja Ogerta Manastiliu tha se rreth 60% e mësuesve në vendin tonë (numri total 33.000) janë të vaksinuar. Rreth 13 mijë mësues dhe pedagogë nuk e kanë bërë ende vaksinën e Covid-19.
Erdisa.D një mësuese e ciklit të mesëm në Tiranë e cila është në moshë të re tha për Gazetasi.al se vaksinimi me detyrim është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Si duhet të bëj një gjë që nuk dua ta bëj. Unë jam kundër vaksinimit dhe nuk kam pse të bëj vaksinë. Nuk e besoj efikasitetin e saj dhe as faktin se duhet të prevalojë e drejta e shëndetit publik. Për mua është një mashtrim shumë i madh” shton 36-vjeçarja.
Më tej mësuesja shpjegon se disa shoqe të saj që i ka edhe kolege i kanë treguar se pësuan një sërë ndryshimesh pasi bënë vaksinën, gjë që e ka shtyrë edhe më shumë për të mos e konsideruar vaksinimin.
Por mes dyzimit të vaksinimit dhe vazhdimit të punës gjenden edhe mjekët e personeli shëndetësor. Në total në vendin tonë ka rreth 23.000 personel shëndetësor. Për numrin e të pa vaksinuarve Gazetasi.al kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk arriti të konfirmojë numrin e të pa vaksinuarve. Ndërkaq në këtë kategori ka persona që e refuzojnë vaksinimin dhe deri më tani kanë gjetur forma të ndryshme për ta shmangur.
“Kur u hap fushata për mjekët në fillim unë isha e sëmurë me Covid-19 dhe fatmirësisht nuk e bëra vaksinën. Kurrsesi nuk do ta bëja po të mos vendosej kusht, por do mbaj vendin e punës,” thotë S.L një mjeke e përgjithshme në një nga qendrat shëndetësore në kryeqytet.
Mjekja shpjegon se deri më tani ka gjetur një sërë justifikimesh për të mos e bërë vaksinën sepse nuk e beson dhe ka frikë të fusë në trup një lëndë për të cilën thotë “nuk i dihet se çfarë ka”.
Përveç rasteve kur mjekët refuzojnë të mos vaksinohen vetë, ka edhe nga ata që janë pjesë e personelit shëndetësor që këshillojnë mos marrjen e vaksinës.
“Deri më tani pacientët që më kanë ardhur për vizitë i kam këshilluar të mos e bëjnë vaksinën. Ose nëse iu është dashur të bëjnë iu kam këshilluar të bëjnë Sinovac sepse është deri diku e ngjashme në teknologji me të gjitha vaksinat që kemi përdorur deri tani në Shqipëri. Po erdhi puna edhe vetë atë do bëj, nuk i dua të tjerat,” shton një tjetër mjek në periferi të Tiranës, i cili do të fshehë identitetin e tij më qëllim mbajtjen e vendit të punës.
Mjeku mendon se vaksinat e tjera si Pfizer dhe AstraZeneca nuk i konsideron fare për shkak se teknologjia e përdorur në to është e re dhe e pa provuar më parë. E siç shprehet ai “nuk pranon të bëhet kavje vaksinash”.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha të hënën se qëllimi parësor i ekspertëve dhe Ministrisë nuk është pezullimi nga puna apo nga shkolla e kategorive të sipërpërmendura, por një nxitje për të kryer vaksinën.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve të Hënën u tha se personat e kategorive të përcaktuar që nuk bëjnë vaksinën “do të duhet të paraqesin periodikisht PCR që nuk janë të infektuar”. Lidhur me këtë burime të sigurta në ISHP për Gazetasi.al konfirmuan se ata që nuk vaksinohen duhet të paraqesin pranë autoriteteve shëndetësore çdo javë testin PCR.
Testi PCR kushton 65 mijë lekë të vjetra dhe kështu mësueseve dhe personelit shëndetësor do t'u duhet të zgjedhin midis shpenzimit të një shume të konsiderueshme në muaj (minimalisht 260 000 mijë të vjetra) dhe vaksinimit tashmë të detyruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.