Kosova

13 mijë biznese rrezikojnë të mbyllen në Kosovë. Kërkojnë 1mld euro nga shteti

13 mijë biznese në Kosovë rrezikojnë mbylljen për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe kanë kërkuar nga shteti 1 miliard euro për shpëtim.

Hysen Sogojeva,  kryetar i Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës në një takim me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrje dhe Tregti sugjeroi të hapen bizneset, por të operojnë në kushte higjiene dhe sigurie. Sogojeva u shpreh pro ndëshkimit të bizneseve që nuk respektojnë masat, por jo të qëndrojnë të mbyllura tërësisht.

“Jam kategorik që të hapet ky sektor dhe merr masa ndaj atyre që nuk respektojnë masat. Megjithatë, është e nevojshme se për t’i shpëtuar bizneset e sektorit të hotelerisë dhe turizmit nga mbyllja duhet intervenim nga shteti me mbi 1 miliard euro, pasi dëmet janë të mëdha që janë shkaktuar tash e mbi një vit nga mbyllja.”

 Në fjalën e tij, kryetari i Odës së turizmit shtoi se nëse nuk hapet sezoni i dasmave sepse qytetarët nuk jaë vaksinuar ende, emigrantët nuk do të vijnë dhe do të jetë një tjetër humbje për Kosovën. Gjithashtu ai theksoi se qeveria të mos habitet kur të përballet me protesta nga bizneset.

Sogojeva kërkoi në takim themelimin e  Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që sipas tij, do ta ndihmonte këtë sektor për zhvillim. Ai tha se vetëm 10 mijë euro buxhet është ndarë për turizmin nga shteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë