Sociale

12 raste të reja me Covid-19, thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë shenjat, telefononi numrin 127

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 12 raste të reja me COVID-19.  Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Mira Rakaçolli ka bërë me dije se rastet e reja  kanë rezultuar si pasojë e hetimit epidemiologjik, në Fier, Krujë Kamëz dhe Shkodër.

Zëvendësministrja Rakaçolli bëri me dije se nga të gjithë personat e infektuar , janë shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë 206 persona.

“Në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 36 pacientë dhe vetëm 8 prej tyre janë në terapi intensive. Pjesa tjetër po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë. Situata epidemiologjike e infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, po monitorohet me shumë kujdes nga të gjitha strukturat shëndetësore,” tha Rakacolli.

Ndër të tjera zëvendësministrja shtoi se duke u lehtësuar masat është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin në kohë të rasteve të dyshuara.

“Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40,” tha me tej zëvendësministrja.

Ndërkohë shpërndarja gjeografike e rasteve aktive vijon:

Tiranë 98 raste

Krujë 69 raste

Shkodër 16 raste

Kamëz 6 raste

Kurbin 4 raste

Elbasan 3 raste

Fier 3 raste

Mirditë 2  raste

Berat 2 raste

Durrës 1 rast

Korçë 1 rast

Lezhë 1 rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë