Analize

11-vjetori i Pavarësisë gjen një Kosovë tjetër

11-vjetori i Pavarësisë e ka gjetur Kosovën sa të fortë aq edhe të pasigurtë për rrugën që do të marrë në të ardhmen. Edhe pse nuk ka përmbyllur ende finalen e madhe të dialogut me Serbinë, Prishtina zyrtare ka bërë hapa të mëdha drejt konsolidimit të shtetit, duke krijuar ushtrinë e saj, por skenari i ndarjes së Kosovës ka përçarë më shumë se kurrë shqiptarët.

Ceremonia e pavarësisë ka bërë bashkë dy polet më të fuqishme politike në Prishtinë, Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Ata duket se kanë lënë pas përplasjet mbi marrëveshjen e ardhshme me Serbinë, për t’u bashkuar për homazhet në kompleksin memorial “Adem Jashari”, duke vendosur kurora me lule mbi varrin e ish-komandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.

“Sot jemi sëbashku me kryeministrin Haradinaj dhe gjithë anëtarët e Qeverisë së Kosovës për të nderuar komandantin dhe bashkëluftëtarin tonë, Adem Jasharin dhe familjen e tij për sakrificën sublime për të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Thaçi para gazetarëve.

Megjithatë, për shumë ekspertë, e ardhmja e Kosovës është tanimë më e pasigurtë se kurrë, mes skenarëve për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh. Pak para se të rikthehej në Prishtinë për Pavarësinë, Thaçi deklaroi në konferencën e sigurisë në Mynih se këtë vit Kosova do të arrinte marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, duke sinjalizuar kështu se 12-vjetori i pavarësisë do ta gjente shtetin më të ri dhe më të brishtë të Europës më të fortë dhe më të konsoliduar.

Gati më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova duket se është kthyer sërish në kryefjalën e mediave botërore jo vetëm për dialogun me Serbinë, por edhe me krijimin e ushtrisë dhe vendosjen e taksës ndaj importeve serbe.

Për shumë analistë, Kosova ndaloi së qeni vendi më i brishtë në kontinent, duke vendosur të krijonte ushtrinë e saj me bekimin e SHBA-ve. Po ashtu qeveria e kryeministrit Haradinaj i tregoi dhëmbët Serbisë, duke rritur me 100% taksat për produktet serbe e boshnjake, për të arrestuar më pas zyrtarët e lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.

Këto dy lëvizje të pashembullta politike, erdhën pasi Serbia doli për tretën herë radhazi kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Sikur të mos mjaftonte kjo, Beogradi vazhdon të lobojë bashkë me Rusinë kundër bashkimit të Prishtinës zyrtare me OKB-në dhe qëndron i palëkundur ndaj vendimit për mos të njohur Kosovën si shtet të pavarur

Kosova shpalli pavarësinë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore, por tani, 11 vjet pas, për herë të parë ky partneritet po rivlerësohet, për shkak të këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj për mos u tërhequr nga taksa. Pengesën që kjo taksë ka krijuar për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë si cilësuar si dëmtim të interesave amerikane, duke e vënë kështu për herë të parë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën, shtetin më pro-amerikan në Evropë.

Megjithaë, edhe pse SHBA-ja ka dërguar paralajmërimë të forta për heqjen e tarifave ndaj Serbisë, në letrën e tij për Thaçin me rastin e pavarësisë, Donald Trump tregoi edhe njëherë se Amerika ka qenë dhe do të jetë aleati më i vyer i Kosovës.

Në letrën e tij, presidenti Trump thotë se "marrëdhëniet e forta dypalëshe kanë rrënjë të thella në vizionin e përbashkët për një Kosovë më të qëndrueshme dhe më të begatë. “Tani që Kosova është duke hyrë në dekadën e dytë si një vend i pavarur dhe sovran, dëshiroj të inkurajoj qytetarët e Kosovës që të mbrojnë parimet demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në forcimin e ekonomisë. Gjëja më e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe kjo është vendimtare për integrimin perëndimor të Kosovës ", shkruan shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump gjithashtu thotë se "SHBA mbetet një partner i fortë i të gjithë atyre që ndajnë këto vlera dhe që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për prosperitetin e ardhshëm të Kosovës".

Falë mbështetjes së SHBA-së dhe aleatëve përëndimorë, këto 11 vjet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.

Dita e pavarësisë, për herë të parë shënohet me ushtrinë në konsolidim e sipër, por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Evropë, pa liberalizim të vizave. Lobimi i Serbisë dhe Rusisë për të penguar rrugën e Kosovës drejt institucioneve perëndimorë është bërë më i ashpër se kurrë këtë vit dhe ka patur jo pak pasoja për Prishtinën zyrtare.

Në përvjetorin e kaluar, i cili shënoi dekadën e parë të pavarësisë, Kosova kishte 116 njohje nga shtetet e ndryshme, kurse sivjet, nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shteti më i ri evropian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar karrigen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Europian, pasi pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin si shtet.

Për shkak të “tentakulave” të Serbisë dhe Rusisë, Kosova vazhdon të përfaqësohet nëpër organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, herë si shtet sovran, e herë si vëzhgues, e herë me fusnotë në emrin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë