Lajme

1 maji mbetet festë në Shqipëri, protestuan vetëm disa mësues

Mesa duket 1 maji nuk ishte ditë pushimi për të gjithë. Më anë të Sidikatës së Pavarur të Arsimit, mësuesit e qarqeve të ndryshme dolën sot në protestë. Ata u mblodhën tek Muzeu Histoik Kombëtar e më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.
Protesta e mësuesve vijoi duke paraqitur një sërë kërkesash për ministren Besa Shahini, që konstatonin në pagat e ulëta të mësuesve, mosmarrjen e pagës së 13-të dhe mbi cilësinë e arsimit. Por kritika kryesore ishte reforma e arsimit të lartë, që sipas tyre nuk ishte ndërtuar në bazë të mendimeve të mësuesve.

Gazment Blita, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Elbasan, tha për Gazetën “Si” se rritja e rrogës me 20 për qind është ndër kërkesat e para që kanë mësuesit.
“Kryeministri ka premtuar që do të rrisë në mënyrë progresive rrogën, deri në 40 për qind deri në fund të mandatit dhe ne kërkojmë 20 për qind të paktën të indeksoj inflacioni. Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe ndryshimi dhe rikonceptimi i dokumentacionit shkollor, që ka të bëjë me kthimin e regjistrit klasik dhe të mos largohen drejtoritë nga qarqet respektive,” shton ai.

Sipas Blitës këto procese do të shkatërrojnë shkollën. Një ndër mësueset të cilat ndodheshin papara Ministrisë, e cila nuk donte të identifikohej u shpreh se është shumë e shqetësuar dhe e pikëlluar për situatën e arsimit në Shqipëri.
“Në krye të shkollave janë vendosur analfabetë dhe të gjithë mësuesit e rinj kanë ardhur me mënyra të ndryshme në vendet e punës dhe jo me meritokraci. Shumica e mësuesve të vjetër dhe të aftë janë larguar. Unë kam 23 vjet në arsim dhe e dua këtë punë, por duke parë këtë gjendje edhe unë do të iki. Dita e punëtorëve duhet të jetë ditë proteste. Jo vetëm mësuesit por të gjithë, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre,” shton ajo.
Gjithashtu edhe Blita ka të njëjtin mendim. Ai shprehet se në të gjitha emërimet e drejtueseve të shkollave, ishte shkelur udhëzimi 38 i Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, ishin drejtues që në shkelje të ligjit u morën dhe u futën brenda sistemit arsimor, ndërkohë që nuk kishin punuar asnjë ditë, por thjesht ishin përfaqësues të partisë.
“Një problem tjetër i madh është edhe portalit qeveritar “Mësues për Shqipërinë”. Ky portal nuk është transparent sepse përveç kësaj dhe partneri social që është sindikata, nuk ishte pjesë e vlerësimit të dokumentacionit apo pjesë e vlerësimit të të gjithë vlerave intelektuale që kanë këta mësues të rinj që u futën” shton ai.
Ndërkohë që edhe drejtuesit e sindikatave të qyteti Tiranë dhe Vlorë kanë shprehur në deklaratat e tyre pakënaqësinë në sistemin arsimor. Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Tiranë, Alma Lama ngriti shqetësimin e presionit ndaj mësuesve. Ajo i bëri thirrje ministres së Arsimit, që mësuesit duhet të përfshihen në reformat e arsimit dhe jo të kopjohen shtetet e zhvilluara. Gjithashtu, ajo shtoi se mësuesit janë të frikësuar për vendet e punës dhe drejtorët politikë ushtrojnë presione mbi ta.

Nisur nga kjo ngjarje edhe Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë reagoi, duke thënë se MAS do të kryejë dialog të vazhdueshëm me sindikatat mbi diskutimin e çështjeve të ngritura nga ana e tyre. Ndër të tjera në deklaratë thuhej se do të shqyrtohen kërkesat e sindikatave dhe rritja e përvitshme e pagës së mësuesit do të reflektohet në pagën e prillit, të cilën çdo mësues/e do ta ketë në llogarinë e tij/saj duke filluar që nga dita e nesërme.

Mësuesit nuk ishin të vetmit që protestonin, për të drejtat e tyre në ditën e punëtorëve. Në qytetin e Fierit, qytetari Edmond Hoxha, i vetëm me një pankartë në dorë ka dalë në sheshin Europa, për të protestuar për papunësinë në vend.
Ai tha se protesta e tij nuk është politike.
“Bërtas për të gjithë. Për ata njerëz që ankohen dhe e kanë të vështirë. Punoj në ndërtim, por nuk arrij të paguaj faturat”, ka deklaruar Hoxha,
Në pankartën që ai mbante në dorë shkruhej: “O Skënderbe e mbajte fjalën, punësove 300. 000 shqiptarë në Gjermani”, duke ironizuar premtimin e kryeministrit Rama.
Por edhe pse pati protesta sporadike në 1 maj, në sheshin Skënderbej, zyra kombëtare e punësimit, zhvilloi panairin e punës, ku në stenda e ngritura ishin pozicionuar një sërë biznesesh të cilat ofronin punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë