Libra

Ridvan Dibra: Unë, Madalena!

Mbas shumë e shumë hezitimesh, dyshimesh e pasigurish, vendosa ta rrëfej unë vetë historinë e dashurive të mia. Pak a shumë, atë histori që shkrimtari Ridvan Dibra e ka treguar para disa kohësh në monodramën me po të njëjtin titull, domethënë “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Pse u dashka ritreguar një histori që është rrëfyer njëherë? pyesni me të drejtë ju. E pra, pse? Këtë pyetje ia kam drejtuar edhe vetes jo rrallë, sidomos gjatë gjithë atyre herëve kur kujtoja e besoja se kisha gjëra më të rëndësishme e interesante për të bërë, sesa rrëfimi i disa ndodhive të kaluara e të mbyllura tashmë. (Nëse vërtet ishin të kaluara e të mbyllura). Por sa e bindja veten se ritregimi i historisë së dashurive të mia qe thjesht një humbje kohe e energjish, më vinin në kujtesë me një qartësi të pamëshirshme detaje nga rrëfimi i Ridvan Dibrës. Dhe fill ndihesha keq. Vërtet keq. Jo se kishte të pavërteta në rrëfimin e Dibrës. Përkundrazi: rrëfimi i tij ndërtohej veç mbi të vërtetat. (Një Zot e di se ku i kishte marrë shkrimtari ato të vërteta?

Por sa e bindja veten se ritregimi i historisë së dashurive të mia qe thjesht një humbje kohe e energjish, më vinin në kujtesë me një qartësi të pamëshirshme detaje nga rrëfimi i Ridvan Dibrës. Dhe fill ndihesha keq. Vërtet keq.

Ndoshta ia kishte rrëfyer ndonjëra prej mikeshave të mia të afërta. Ndonjëra prej atyre që më njihte më mirë se unë veten time). Të vërteta të mbështetura mbi kolona të tilla, si: ndodhi, data, vende e njerëz konkretë. Por, si duket, pikërisht për këtë ai rrëfim më linte shije jo të mirë. Sepse unë, përveç atyre të vërtetave të përjetuara thellë prej meje, kisha nevojë edhe për ndoca të pavërteta e trillime – qofshin dhe në formën e pasigurive a të dyshimeve – që mund t’i shtoheshin historisë sime pa ia cenuar thelbin asaj. (A nuk na duket vetja jo pak intriguese, kur mbi sipërfaqen e pasqyrës përballë nesh ka rënë një cipë e hollë avulli a fryme?) Ndoshta edhe detyra e shkrimtarit kjo kishte me qenë: me përcjellë dëshminë e vet, duke ndërkallur të vërtetat me të pavërtetat, realitetet me trillimet, siguritë me pasiguritë…


Pse u dashka ritreguar një histori që është rrëfyer njëherë? pyesni me të drejtë ju. E pra, pse? Këtë pyetje ia kam drejtuar edhe vetes jo rrallë, sidomos gjatë gjithë atyre herëve kur kujtoja e besoja se kisha gjëra më të rëndësishme e interesante për të bërë, sesa rrëfimi i disa ndodhive të kaluara e të mbyllura tashmë.

Mbas rastit tim, vendosa t’ia lexoj të gjitha veprat Ridvan Dibrës, nga e para deri tek e fundit. Nuk them se më lanë pa frymë. Por edhe indiferente nuk mbeta. Ia çmova këtij shkrimtari ndjeshmërinë e fantazinë. Edhe bukurinë e rrëfimit, kujdesin ndaj stilit e gjuhës. Porse e mora inat për mungesën e sinqeritetit. Edhe pse shtirej për të kundërtën. Siç besoj se dallova mes rreshtave njëfarë arrogance të autorit me lexuesin e vet; sikur e shihte nga lart, tepër lart. Edhe pse, prapë, shtirej për të kundërtën. Kur merrej me veten e vet dhe këtë e bënte në më të shumtën e veprave, ky shkrimtar ishte i besueshëm. Kur merrej me të tjerët, si në rastin tim për shembull, bëhej i dyshimtë. Gjithashtu, mendoj se ky autor, me krijimtarinë e tij, synon të jetë njëherësh edhe elitar, edhe popullor, duke rrezikuar të mos jetë as njëri e as tjetri. Por, ndoshta, po gaboj. Nuk them se jam specialiste e Letërsisë. Edhe pse dikur, në rininë e hershme, kam provuar të shkruaj dhe vetë. Jo, jo, jam thjesht një lexuese e vëmendshme. Siç u bëra spektatore e vëmendshme kur monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” u vu në skenë.

Për një javë rresht, aq sa u dha në Teatër, unë i ndoqa të gjitha shfaqjet strukur në njërën prej lozhave të fundit. Me një ndjesi të përhershme ankthi e paniku se mos spektatorët aty poshtë dinin diçka për “rastin tim” dhe vëmendja e tyre përqendrohej te unë. Porse frika ime dukej e kotë: spektatorët qenë të interesuar për historinë time dhe jo për praninë. Në njërën prej netëve, në mos gaboj e treta, dallova në lozhën përballë meje pikërisht atë: Ridvan Dibrën. Edhe ai si unë i strukur në lozhën e vet, në cep të saj. Nuk e pata të vështirë ta njoh, sepse imazhin e tij e kisha ndeshur disa herë në faqe gazetash e revistash, apo edhe në ekrane televizionesh. Siç kisha pasur rast, edhe pse një të vetëm, ta shoh duke kaluar në njërën prej rrugëve të kryeqytetit. Vetëm e të përhumbur. Me një ecje të pasigurt, thua se kishte dyshime për çdo hap që hidhte. Atëherë kisha dashur ta ndaloja e ta takoja shkrimtarin; ta pyesja e t’i kërkoja llogari se me ç’të drejtë e pati shfrytëzuar historinë e jetës sime, duke e kthyer në tekst dramatik. Porse atëherë nuk kisha guxuar. Shkrimtarin e tregonin si individ të vështirë, të paparashikueshëm e cinik. Kurse tani guxoj. Shfrytëzoj pauzën mes dy akteve të fundit dhe shkoj në lozhën e tij. Kollitem dy-tri herë, sa për t’ia tërhequr vëmendjen. “Jam unë… Madalena…” “E di”, thotë ai…

Në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë?A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi?


Kështu e nis shkrimtari Ridvan Dibra romanin e tij më të fundit “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, duke u bërë njëheri krijues dhe personazh i trillit, me lojën stilistikore dhe arkitekturën e kësaj proze nëpër të cilën me lehtësi lëviz nga jashtë brenda. Botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, romani më i ri i Dibrës do të jetë për lexuesit në Panairin e Librit, që çelet më 15 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Fati i Madalenës, në tri etapa të jetës, ku adoleshenca është përcaktuese. Shqetësimi i saj kryesor: humbja e virgjërisë. Këtu nis tjetërsimie absurdi i këtij karakteri: Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete, por sepse në grupine  saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Nën shenjën e këtij “vendimi” të hershëm e të detyruar (të tjerët, koha, mjedisi), përmes episodesh e situatash sa absurde e groteske, aq edhe tragjikomike, në një trajtim thuajse përherë ironik e parodik, pasqyrohen edhe dy etapat e tjera nga jeta e Madalenës, por dhe e katër shoqeve tësaj. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet:Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë?A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi?

Dibra është autor i mbi njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë dhe studime letrare. Pjesë nga krijimtaria e tij janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rumanisht, maqedonisht, boshnjake, malaziase etj. dhe janë përfshirë në disa antologji brenda e jashtë vendit. Është fitues i disa çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare. Romani i tij “Legjenda e vetmisë” (“Onufri”, 2012) fitoi çmimin “Rexhai Surroi”, si romani më i mirë i botuar në hapësirën mbarëshqiptare. Për krijimtarinë e Ridvan Dibrës kanë shprehur konsiderata disa nga emrat e njohur të kritikës dhe letrave shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë