Kombetarja

Panuçi: Luftë me Islandën dhe Turqinë për vendin e dytë!

Pasi ka mësuar kundërshtarët në grup, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka folur për shanset e kualifikimit për në Euro 2020. Ai ka pranuar se do të jetë luftë me Turqinë dhe Islandën për vendin e dytë në grup, por këto llogari, sipas tij, bëhen vetëm nëse grupi i futbollistëve do të jetë i plotë. Trajneri italian i kuqezinjve u shpreh se Franca është favorite absolute për kreun e grupit. Ai shpreson që të ketë gati në mars lojtarë të rëndësishëm si Sadiku dhe Roshi, që mungojnë prej kohësh.

“Mund të shkonte më mirë, por mund të shkonte edhe më keq. Duhet të fillojmë  që tani të përgatitemi për ndeshjet e marsit. Kuptohet që Franca është favorite e madhe në grupin tonë, pastaj janë Turqia dhe Islanda. Ato do të jenë rivale për vendin e dytë. Sa shanse kualifikimi kemi? Më interesojnë më shumë lojtarët, dua t’i kem në dispozicion të gjithë, sepse juve nuk u interesojnë lojtarët që mungojnë, por vetëm rezultatet.

Shpresojmë të kemi Sadikun dhe Roshin në mars dhe të mos bëjmë zgjedhje të sforcuara nga mungesat. Nëse grupi i futbollistëve do të jetë i plotë, do të jemi në gjendje të luftojmë për vendin e dytë me Islandën dhe Turqinë”, - tha trajneri Panuçi për mikrofonin e TVSH-së nga Dublini. Trajneri i kuqezinjve e ka të qartë se pritshmëritë në Shqipëri janë të mëdha dhe se i duhet të bëjë maksimumin për të zënë vendin e dytë në grup.

Kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj

Një koment për shortin ka dhënë edhe kapiteni i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili për “Supersport” tha: “Është shumë e vështirë të flasim tani, por është kënaqësi të luajmë kundër kampionëve të botës. Kemi përvojë pozitive me ta, ashtu si dhe me Turqinë. Islanda mendoj se ka ecur shumë përpara dhe është kundërshtar shumë i fortë. Islanda dhe Turqia janë rivalët tanë dhe nëse i kalojmë me sukses këto ndeshje, do të kemi shanse kualifikimi. Islanda është më e vështirë, sepse ka lojtarë të përgatitur dhe të përkushtuar. Tani ka edhe më shumë besim në forcat e saj. Turqia ka ndërruar trajnerin dhe mbetet e fortë. Për Kosovën do të thosha se ndeshjet me Anglinë dhe Malin e Zi do të jenë të jashtëzakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë