Kombetarja

Llogaritë në grup, vendin e parë mund ta vendosin golat

Fitorja e Izraelit ndaj Skocisë i ka komplikuar së tepërmi llogaritë për vendin e parë në grupin 1 të Ligës C, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Janë luajtur 2 ndeshjet e para dhe kanë mbetur edhe 2 të tjera, duke qenë se në grup janë 3 skuadra, që kanë secila nga 3 pikë, me nga 1 fitore dhe 1 humbje. Kuqezinjtë mbajnë vendin e fundit, pasi kanë golaverazhin më të keq, -1, me 1 gol të shënuar dhe 2 të pësuar. Skocia mban vendin e parë, me golaverazhin 3-2, kurse Izraeli është i dyti, me golaverazhin 2-2.

Është e qartë se Shqipërisë i ndalohet humbja në dy ndeshjet e mbetura. Fitorja në Izrael të dielën do të ishte ideale, do të na jepte vendin e parë dhe në ndeshjen e fundit me Skocinë në Shqipëri mund të mjaftojë edhe barazimi. Mund, sepse nëse Skocia fiton me Izraelin dhe barazon me Shqipërinë, mbetet e para falë edhe golaverazhit. Por nuk përjashtohet varianti që pas 4 ndeshjeve, të tria skuadrat të jenë me pikë të barabarta, si tani. Dhe këtu vendos golaverazhi i përgjithshëm, ku kuqezinjtë janë deficitarë. Për të mos arritur në këtë pikë, objektivi minimal është që Shqipëria të marrë  të paktën një barazim në Izrael dhe të fitojë me Skocinë në shtëpi.

Taulant Xhaka, autori i golit të vetëm të Shqipërisë, në aksion

Nëse Shqipëria barazon në Izrael, duhet të shpresojë që Skocia ta mundë këtë të fundit. Në këtë rast, Izraeli do të dilte jashtë loje me 4 pikë dhe vendi i parë do të diskutohej në ndeshjen direkte Shqipëri-Skoci, ku kuqezinjve do t’u bënte punë vetëm fitorja për të marrë kreun me 7 pikë. Nëse Shqipëria humb në Izrael dhe ky i fundit humb në Skoci, dy rivalët e kuqezinjve do të shkonin në kuotën e 6 pikëve, që do të thotë se Shqipëria, jo vetëm duhet t’i mundë skocezët, por duhet të shënojë sa më shumë gola, që të ketë shpresë për vendin e parë. Në një grup me 3 skuadra situata mund të shkonte kështu dhe kuqezinjtë rrezikojnë të penalizohen vetëm prej golaverazhit. Rastet e humbura në dy ndeshjet e para mund të kushtojnë shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë