Kombetarja

Jahmir Hyka lojtar i lirë, e josh rikthimi në Europë

Dy sezone ka zgjatur aventura e Jahmir Hykës me fanellën e San Hoze në kampionatin amerikan. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë ka mbyllur marrëveshjen me këtë ekip dhe tani është lojtar i lirë. Kryeqytetasi 30-vjeçar ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen, pasi nuk kërkon të nxitohet. Hyka mund të qëndrojë në Amerikë, ndoshta për një ekip më kompetitiv, por në këtë moment e josh rikthimi në Zvicër, ku ka luajtur për shumë vite, si dhe një ofertë nga Kina. Për rikthimin e mundshëm në Shqipëri nuk bëhet fjalë.   

Futbollisti shqiptar kërkon një skuadër më të mirë, që mund të jetë sërish në MLS, por gjithçka është e hapur. Hyka ka qenë titullar me San Hoze dhe në dy sezone ka shënuar 6 gola. Ai kaloi në kampionatin amerikan pas shtatë sezonesh me Luzernën në Zvicër, ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij. Më parë ka qenë pjesë edhe e skuadrave me shumë emër si Rozemborgu në Norvegji dhe Olimpiakosi në Greqi, por pa mundur të luajë me to. Gjithashtu, futbollisti kuqezi ka pasur edhe një përvojë me Maincin në Gjermani, por edhe këtu nuk ka mundur të lërë gjurmë. Ka veshur fanellën e Tiranës në dy sezone të ndryshme, 2007-2008 dhe 2010-2011.

Hyka me fanellën e San Hoze

Jahmir Hyka ka luajtur me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. Me Kombëtaren A ai numëron 47 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Në fitoren me Izraelin në Ligën e Kombeve, trajneri Panuçi e gradoi kapiten Hykën, por në ndeshjet e fundit ai nuk u grumbullua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë