Kombetarja

FSHF largon zërat për trajner të ri: Janë spekulime!

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi e mori “bekimin” e presidentit Armand Duka që para miqësores me Uellsin, ku kuqezinjtë fituan 1-0. Por në shtyp dhe ambientet futbolldashëse ka pasur zëra se nga drejtues të FSHF-së po kontaktohen trajnerë të ndryshëm, të cilët mund të ulen në stolin e Kombëtares. Për ta mbyllur këtë diskutim, FSHF-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare një njoftim, ku i quan spekulime zërat për trajner të ri dhe konfirmon mbështetjen ndaj Panuçit. 

“Nisur nga disa spekulime dhe lajme abuzive që kanë qarkulluar në disa media orët e fundit, Federata Shqiptare e Futbollin dëshiron t’iu informojë se nuk është aspak e vërtetë që jemi në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit. FSHF është duke punuar dhe bashkëpunuar maksimalisht me trajnerin Panuçi për të arritur rezultate sa më të larta në kualifikueset për Kampionatin Europian 2020”, - shkruhet në njoftimin e fundit të FSHF-së.

Bledar Kola ishte një nga emrat e lakuar për marrjen e drejtimit të Kombëtares, por gjithçka e ka hedhur poshtë vetë presidenti Duka, i cili sqaroi se nuk ka pasur asnjë kontakt me ish-futbollistin kuqezi. Besnik Hasi është një tjetër emër që ka qarkulluar ditët e fundit, por duket se kanë qenë vetëm hipoteza. Duka është shprehur se FSHF-ja nuk e ka luksin të ndërrojë trajner, ndaj dhe do të vazhdojë me Panuçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë