Kombetarja

Duka i bie lapsit: Nuk e kemi luksin të ndërrojmë trajner!

Pas ndeshjes miqësore me Uellsin, ku Kombëtarja fitoi 1-0, trajneri Panuçi pohoi se kishte marrë besimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe se skuadrën e kishte me vete. Situata ndryshoi pas disfatës me Skocinë, e ndikuar ndoshta edhe nga rrethanat. Pas trajnerit, edhe kreu i FSHF-së ka pranuar publikisht vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin italian.

“Nuk duhet të marrim vendime të nxituara në këtë moment. Trajneri ka të mirat dhe të këqijat e veta gjatë këtij edicioni, ndërsa ne nuk e kemi luksin të bëjmë asnjë lloj ndryshimi tani. Mbetemi skuadër modeste dhe mund të bëjmë mirë, nëse të gjithë mendojmë pozitivisht. Duhet ta mbështesim trajnerin dhe stafin e tij për kualifikueset e Europianit. Ka pasur kohën e mjaftueshme për të bërë eksperimente dhe për të fituar disa lojtarë, si Uzuni e Ismajli. Tashmë skuadra është më e konsoliduar. Diskutuam me trajnerin për ato gjëra që mund të mos jenë bërë mirë dhe që mundt’i korrigjojmë. Këtu e kam fjalën për çështje organizative, sepse teknikisht nuk e ndihmoj dot trajnerin", - tha Duka për "Tv Klan".

Presidenti i FSHF-së i ka bërë mirë llogaritë. Prishja e njëanshme e kontratës me Panuçin do të rëndonte në arkat e FSHF-së, sepse do të paguheshin dy trajnerë njëkohësisht. Po ashtu, edhe kompromisi për prishje kontrate me mirëkuptim do të kishte kosto financiare. Në këto kushte, Duka ka zgjedhur të vazhdojë me Panuçin, të paktën deri në mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë