Kombetarja

Cikalleshi dhe Latifi shënojnë në kupë, mesazhe për Panuçin

Sokol Cikalleshi dhe Liridon Latifi, dy lojtarë që kohët e fundit kanë munguar në listën e trajnerit Kristian Panuçi, kanë shënuar secili nga një gol në ndeshjet e kupës me klubet e tyre. Cikalleshi i hapi rrugën fitores 0-3 të Goztepesë në Turqi, kurse Latifi shënoi golin e tretë në fitoren e thellë, 0-6, të Pushkash Akademi në Hungari.

Kavajasi Sokol Cikalleshi ka fat në Kupën e Turqisë, ku ka shënuar vazhdimisht, ndërsa në kampionat ai nuk ka gjetur hapësirat e duhura me fanellën e Goztepe. Në Turqi luhej turi i 1/16-ve të kupës dhe Goztepe fitoi 0-3 në fushën e Nazillispor. Sulmuesi shqiptar luajti titullar dhe hapi serinë e golave në minutën e 12-të, duke gjuajtur saktë në një pozicion diagonal me portën kundërshtare. Cikalleshi luajti 75 minuta në këtë ndeshje, ku goli i shënuar mund ta ndihmojë për të pasur më shumë minuta në kampionat.

Me fat ishte kupa edhe për Liridon Latifin, kosovarin që aktivizohet me Pushkash Akademi në Hungari. Ish-lojtari i Skënderbeut luajti si sulmues në ndeshjen me Penygior, ku skuadra e tij fitoi, 0-6. Latifi shënoi në pjesën e dytë golin e tretë për të tijtë. Edhe për të ky gol mund të jetë një sinjal pozitiv për të pasur një aktivizim më të madh në kampionat.

Liridon Latifi në aksion

Si Cikalleshi, ashtu edhe Latifi, nuk po luajnë titullarë me klubet e tyre, por aktualisht duken në formë dhe do të bëjnë gjithçka për ta bindur trajnerin e Kombëtares, Kristian Panuçin, t'i grumbullojë për eliminatoret e Euro 2020, që nisin në muajin mars. Sinjalin e parë e kanë dhënë. Të dy lojtarët kanë mbetur jashtë listës së trajnerit italian të kuqezinjve në ndeshjet e fundit të Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë