Kombetarja

Verdiktet e Ligës së Kombeve, faza finale dhe shpërblimet

Gjermania bie në serinë B, Suedia ngjitet në serinë A, Serbia dhe Skocia ngjiten nga seria C, ndërsa Kosova feston një sukses historik: ngjitjen në serinë e tretë. Më 3 dhjetor hidhet shorti i gjysmëfinaleve.

Me ndeshjet e së mërkurës është ulur sipari i fazës në grupe të edicionit të parë të Ligës së Kombeve, kompeticionit të aplikuar për herë të parë nga UEFA. Janë dhënë tashmë verdiktet për të katërta seritë. Seria A i kishte përcaktuar një ditë më parë skuadrat fituese dhe ato që kanë rënë një seri më poshtë. Në këtë seri, Suedia, që fitoi ndeshjen direkte me Rusinë, i është bashkuar Ukrainës, Bosnjës dhe Danimarkës. Italia gjen në serinë A katër skuadrat finaliste, Anglinë, Holandën, Portugalinë dhe Zvicrën, tri skuadrat më të mira të vendeve të dyta, Belgjikën, Francën dhe Spanjën, si dhe katër të sapo ngjiturat në këtë seri.

Seria B — Kanë rënë në serinë B Kroacia, Gjermania, Islanda dhe Polonia, që bashkohen me Austrinë, Uellsin, Çekinë dhe Rusinë, si dhe katër skuadrat e ngjitura nga seria C, Finlandën, Norvegjinë, Skocinë dhe Serbinë.

Kuqezinjtë festojnë golin e Balajt ndaj Uellsit

Seria C — Në këtë seri kanë rënë Irlanda, Irlanda e Veriut, Sllovakia dhe Turqia. Kjo seri kompletohet me Izraelin, Shqipërinë, Hungarinë, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Malin e Zi, Bjellorusinë, Gjeorgjinë dhe Kosovën. Një sukses historik për Kosovën, që ngjitet nga seria D, pasi mundi Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit. Ngjitet në serinë C edhe Maqedonia.

Seria D — Mbyllin kuadrin e Ligës së Kombeve skuadrat që bëjnë pjesë në serinë e fundit, serinë D. Kanë rënë në këtë seri Qipro (si skuadra e tretë më e dobët), Estonia, Lituania dhe Sllovenia, që bashkohen me Kazakistanin, Letoninë, Andorrën, Luksemburgun, Moldavinë, San Marinon, Azerbajxhanin, Maltën, Ishujt Faroe, Armeninë, Gjibraltarin dhe Lihtejnshteinin.

Faza finale — Shorti i fazës finale, që do të mbyllë edicionin e parë të Ligës së Kombeve dhe që do të zhvillohet në Portugali, do të hidhet në Dublin, të hënën e 3 dhjetorit, në orën 14:30. Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen më 5 dhe 6 qershor, ndërsa finalja më 9 qershor. Po në këtë datë do të luhet edhe ndeshja për vendin e tretë të kompeticionit. Përveç trofeut, skuadra fituese do të marrë edhe çekun e 7.5 milionë eurove. Jo keq shpërblimet edhe për vendin e dytë, që merr 6.5 milionë euro, të tretin që merr 5.5 milionë dhe të katërtin që merr 4.5 milionë euro. Për këtë fazë ka të reja edhe sa i takon rregullores: nuk ka Var, por vetëm “Goal Line Technology”. Skuadrat pjesëmarrëse do të kenë në dispozicion katër ndërrime.

Shqipëria e mbylli aventurën në ligën e Kombeve në vend të fundit në grupin e saj, por i shpëtoi rënies, pasi nuk ishte ajo e treta më e dobët e fazës në grupe, por Qipro, që u mund nëndeshjen e fundit nga Norvegjia. Kuqezinjtë ishin në një grup me tri skuadra, ku kundërshtarë kishin Skocinë dhe Izraelin. Pavarësisht vendit të fundit, arriti të mbijetojë, falë skemës së kompeticionit.    

 

Më Shumë