Kombetarja

Tifozët braktisin Kombëtaren, një penallti na jep fitoren

Fatjon Rupi – Pak buzëqeshje për Shqipërinë pas humbjes katastrofike me Skocinë. Kuqezinjtë kanë mundur 1-0 Uellsin në miqësore, falë një goli të shënuar nga Balaj me penalltinë e fituar nga Xhaka në pjesën e dytë. Një fitore morali, pas një periudhe të gjatë të vështirë për Kombëtaren, që përfundimisht mbetet në Ligën C, pas nderit që na bëri Norvegjia. Trajneri Panuçi, siç e pohoi vetë në konferencën e fundit për shtyp, ndryshoi strategji, duke hedhur në fushë një skuadër më mbrojtëse, që hasi vështirësi, por në fund arriti të fitojë. Në këtë ndeshje Kombëtarja ka vuajtur mungesën e tifozëve, aq sa dukej si një ndeshje kampionati.

Ndeshja dukej sikur luhej në Uells dhe jo në Shqipëri, pasi ishin tifozët uellsianë ata që dominonin në stadiumin “Elbasan Arena”.Rezultatet e fundit të skuadrës kuqezi duket se kanë ndikuar që tifozët ta braktisin atë, por edhe moti i keq ka bërë të vetën. Në shkallët e stadiumit ra në sy një parullë e tifo-grupit “Tifozët Kuqezi”, ku mesazhi ishte i qartë për futbollistët: “Kërkojmë të djersisni fanellat kuqezi, rezultatet nuk kanë rëndësi”.Kuptohet çfarë duan tifozët e Kombëtares prej saj, të japin shpirtin në fushë. Trajneri Panuçi befasoi me aktivizimin e Lilës në mesfushë, përkrah Bashës dhe Xhakës, ndërsa në sulm luajtën Grezda, Uzuni dhe Balaj. Në portë ishte sërish Berisha, përpara të cilit u vendosën Hysaj, Ismajli, Mavraj dhe Veseli. Trajneri i kuqezinjve nuk rrezikoi për të luajtur me dy qendra të reja dhe aktivizoi kapitenin Mavraj.

Gjatë pjesës së parë ka luajtur më mirë Uellsi, edhe pse trajneri Rajan Gigs i kishte kursyer yjet e skuadrës, Geret Bejl dhe Aron Ramsei. Sulmuesi Voks ka pasur disa mundësi të mira, por Berisha, nga më të mirët në fushë për Shqipërinë, e ka mbajtur rrjetën të paprekur. Kuqezinjtë nuk rrezikuan thuajse asnjëherë në pjesën e parë. Ka pasur edhe nervozizëm në radhët e skuadrës sonë, ku Xhaka rrezikoi të bënte gafën e Mavrajt me Skocinë, duke u kapur me një nga lojtarët e Uellsit, por u ndëshkua vetëm me një të verdhë nga arbitri maqedonas Jakimovski.

Kuqezinjtë festojnë pas fitores me Uellsin

Me fillimin e së dytës, vendimtar ka qenë sërish Berisha me një pritje në vijën fatale. Ndeshja ka marrë një rrjedhë tjetër në minutën e 58-të, kur Xhaka ka fituar një penallti, që është kthyer në gol nga Balaj. Në këtë moment Gigs hodhi në fushë edhe Geret Bejl, ndërsa pak minuta më parë kishte aktivizuar edhe Ramsein. Trajneri Panuçi zëvendësoi Lilën me Memushajn dhe Grezdën me Lilajn. Në një rast shumë të dyshimtë, Basha ndërhyn ashpër në zonë dhe uellsianët kërkojnë penallti, por ka vetëm goditje këndi. Goli i avantazhit u dha besim kuqezinjve, të cilët luajtën më mirë në fundin e ndeshjes dhe rrezikuan me Uzunin, por pa mundur të dyfishojnë. Një skuadër më pragmatiste kjo ndaj Uellsit, ndryshe nga ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Shqipëria ka sulmuar më shumë, por ka humbur.

Mbyllet me fitore ndeshja e fundit e 2018-ës për kuqezinjtë, një vit i errët për ta, pasi kanë regjistruar rezultate të dobëta dhe kanë shënuar vetëm 3 gola, 2 nga të cilët në miqësore, me Ukrainën dhe ky i fundit me Ullesin.Trajneri Panuçi, në rrezik serioz pas humbjes fatale me Skocinë, duket se ka marrë besimin e presidentit Duka.  

Shqipëri-Uells 1-0

Shënues: Balaj 59’ (p)

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Mavraj, Veseli, Ismajli, Lila (Memushaj 60’), Basha, Xhaka, Uzuni, Grezda (Lilaj 69’), Balaj. Trajner: K.Panuçi.

Uellsi: Uard, Ganter, Laurens, Lokier, Alen, King, Roberts, Uillson, Bruks, Xhejms, Voks. Trajner: R. Gigs

 

Më Shumë