Kombetarja

Panuçi rikthen Loret Sadikun dhe i “vjedh” Ismajlin Kosovës


Është zyrtarizuar nga FSHF-ja lista e trajnerit Kristian Panuçi për dy ndeshjet e radhës së Kombëtares shqiptare, me Skocinë më 17 nëntor në stadiumin “Loro Boriçi”, për Ligën e Kombeve, dhe për miqësoren me Uellsin, që do të zhvillohet më 20 nëntor, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Edhe këtë herë trajneri italian i kuqezinjve ka befasuar me zgjedhjet e tij. Ai ka grumbulluar dy lojtarë të Kosovës, mbrojtësit Ardian Ismajli dhe Loret Sadiku. Për të parin ishte thënë së fundi se do të linte Kosovën për Shqipërinë, ndërsa për Sadikun është një rikthim si kuqezi, pasi ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares sonë, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Loret Sadiku, 27 vjeç, aktivizohet me Kasimpashanë në kampionatin turk dhe e ka nisur me kombëtaren U-21 të Suedisë, ku ka nisur karrierën, më pas është grumbulluar nga Shqipëria, për të kaluar te Kosova, ku ka luajtur 4 ndeshje, dhe tani sërish kuqezi. Kohët e fundit lojtari që luan edhe si mesfushori shkatërrues, nuk ka qenë i grumbulluar me Kosovën.

Loret Sadiku

Mbrojtësi Ardian Ismajli, që luan me Hajdukun e Splitit në Kroaci, mbulon disa pozicione në mbrojtje, në qendër dhe në krahun e djathtë. Me shumë mundësi, trajneri Kristian Panuçi ka menduar për zëvendësuesin e Hysajt të skualifikuar për ndeshjen me Skocinë. 22-vjeçari Ismajli konsiderohet një lojtar me të ardhme dhe tani ka rastin të tregojë vlerat e tij me fanellën kuqezi. Ai ka luajtur disa ndeshje me Kosovën U-21. Pas Dermakut, trajneri Panuçi i ka marrë edhe një lojtar tjetër interesant Kosovës, drejtuesit e të cilës me siguri nuk e kanë pritur mirë këtë lajm.

Ardian Ismajli

Trajneri i kuqezinjve nuk ka ndryshuar mendim sa i takon grumbullimit të sulmuesve Sokol Cikalleshi dhe Sindrit Guri, të cilët kanë mbetur sërish jashtë listës. Për sulmin italiani ka preferuar Balajn, Manajn, Vrionin, Grezdën, Uzunin dhe Gavazajn.

Ja dhe lista e plotë


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë