Kombetarja

Panuçi: Jemi në det të trazuar, numrin e Dukës e keni!

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka folur në konferencë shtypi për pozicionin e tij dhe gjithçka ka të bëjë me ekipin në këtë moment delikat, pas humbjes së thellë me Skocinë. Ai ka debatuar në ndonjë moment me gazetarët, duke u shprehur se askush nuk përmend faktin se janë 6-7 lojtarë të rëndësishëm që mungojnë, që kanë sjellë këtë situatë. Italiani ka pranuar se duhet të ndryshojë, pasi idetë e tij për futboll ofensiv nuk kanë funksionuar së fundi. Pyetjet për të ardhmen e tij i ka dribluar, duke ia kaluar topin presidentit Duka:  

“Jam trajneri i Kombëtares së Shqipërisë deri sa nuk më kanë thënë se nuk jam më trajner i saj. Po punoj me qetësi dhe ka shumë të vërteta që nuk ka asnjë interes për t’i thënë. Siç e thashë pas ndeshjes me Skocinë, jam përgjegjës absolut i kësaj situate. Viti 2018 ka qenë shumë negativ për ne, por askujt nuk i intereson të thotë se prej kohësh kësaj skuadre i mungojnë 6-7 lojtarë kryesorë. Imagjinojeni të shkretin Lëv, që Gjermania është e fundit në grupit. Kam lojtarë që nuk luajnë me klubet e tyre, por edhe kjo nuk i intereson askujt.

Jam i bindur se kur te jetë grupi i plotë, kjo skuadër i ka mundësitë që të shkojë në Europian. Jam përgjegjësi i vetëm për këtë moment të vështirë. Jam përpjekur të sjell një ide të re futbolli në Ligën e Kombeve, sepse ishim në grup me ekipe të të njëjtin nivel. Nuk kam asnjë problem të them se duhet të ndryshoj dhe të ndryshojmë. Nuk ka kohë për t’u dhënë lojtarëve gjendjen fizike, nuk kam kohë për futboll të evoluar, duhet të bëjmë diçka ndryshe.

Historia ka një të vërtetë tjetër, duhet të ndryshoj, sepse nuk jam idiot. Me këtë situatë, nëse vazhdojmë në këtë rrugë, është e vështirë. Me Uellsin na duhet krenaria e skuadrës, të tregojmë se jemi persona seriozë. Kur unë dëgjoj stadiumin që më ofendon me të drejtë, meqë jam serioz, e vuaj shumë. Përpiqem ta bëj punën time me seriozitet. Kam gabuar dhe duhet të ndryshojmë, duhet të shkojmë në një rrugë, që shpresoj të jeta e duhura.

Normalisht, pozicioni im është i rrezikuar, sepse nuk fitojmë prej kohësh. Nuk kemi treguar atë që kemi mundësi, sepse kemi pasur shumë mungesa. Është e vështirë, sepse unë nuk i stërvit çdo ditë lojtarët. Në Ligën e Kombeve kanë rënë nga kategoria skuadra të mëdha, por nuk kam dëgjuar se do të ndërrojnë trajner. Në Kombëtare nuk ka prova. U munduam të sillnim një ide ndryshe, por nuk shkoi mirë. Në Ligën e Kombeve ishte një ide për të shkuar në Europian, tani janë kualifikueset. Koha për punë është dhe do të punojmë, në të kundërt keni numrin e Dukës, mund tatelefononi dhe ta pyesni a është Panuçi, apo nuk është Panuçi. Kam respekt veten dhe në këtë periudhë nuk duhet ta tregoj vuajtjen time, duhet të jem i ekuilibruar. Jam shumë i lumtur te Shqipëria. Kritikat për lojtarët? Çfarë duhet të bëj, të nis të qaj?

Nëse Duka ka besim, vazhdoj punën, nëse ai nuk ka besim, do të isha larguar. Shqipëria nuk është kompetitive, nëse i mungojnë shumë lojtarë. Me Uellsin do të luajë Basha, të shohim pastaj ndonjë ndryshim tjetër. Duam të bëjmë diçka të mirë. Në këtë moment deti është i trazuar dhe duhet të ndryshojmë që të jemi në një det të qetë. Jam i zhgënjyer që nuk jemi në vend të parë të grupit në Ligën e Kombeve.

Takim me Dukën? Jo, nuk kam folur me presidentin. Skuadrën e kam në mendje, e kam grupin. Por këtë vit janë 6-7 të dëmtuar, madje bëhen 10, bashkë me ata që nuk luajnë në klubet e tyre. Futbolli ofensiv ishte i gabuar nga ana jonë, duhet të bëjmë një ndryshim. Lojtarët nga kampionati shqiptar i kemi grumbulluar më parë, kemi marrë Gavazajn dhe Lilajn, kur ishin te Skënderbeu, Gurin kur ishte te Kukësi”, – tha në konferencë trajneri i kuqezinjve, të cilët të martën luajnë miqësoren me Uellsin.

 

Më Shumë