Lojëra me Dore

Zyrtare/ Pau Gasol firmos për Barcelonën, synon Olimpiadën e Tokios

Basketbollisti 40-vjeçar, Pau Gaosl, jashtë aktivitetit për dy vjet, ka firmosur për klubin katalanas. Lajmi ishte përhapur ditët e fundit dhe ish-lojtari i Lejkërsave ishte nervozuar, por në fund vendosi të kthehet në Spanjë, të kthehet në shtëpi.

Lajmi për kthimin e Gasol te Barcelona u bë i ditur me shpejtësi të premten nga “Mundo Deportivo”, kur kontrata nuk ishte ende gati. Kjo gjë e nxehu keq të madhin e vëllezërve Gasol, ai e përgënjeshtroi lajmin dhe mbajti qëndrim ndaj drejtuesve të Barcelonës, por pas një reflektimi gjatë fundjavës ai vendosi që të mos e prishte akordin.

Gasol synon të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokios dhe klubi katalanas është mundësia më e mirë për të gjetur formën, duke luajtur në nivel kompetitiv. Kështu ai mund ta bindë trajnerin Serxhio Skariolo për ta marrë në Tokio. Pau Gasol mbush 41 vjeç më 6 korrik dhe nuk luan prej 10 marsit të 2019-ës, gati 2 vjet jashtë, që kur Bucks luajtën në San Antonio kundër Spurs.

Më 10 maj të atij viti spanjolli kreu një ndërhyrje kirurgjikale, pas një mikrofrakture në një kockë të këmbës së majtë. Më 24 korrik firmosi për Portland, por më 20 nëntor u largua dhe që atëherë është stërvitur me TrailBlazers, në pritje të lëvizjes së radhës.

Pau Gasol dhe trajneri Skariolo. Gazeta Si, 24 shkurt 2021

E përditshmja “As” ka intervistuar trajnerin e Spanjës, Skariolo, duke i kërkuar një mendim për Pau Gasol. “Si trajner dhe si mik mund të them se dëshiroj ta shoh të luajë ndeshje zyrtare në vazhdimësi. Shpresoj ta shohim shpejt në një nivel të mirë. Nuk flasim për Gasolin e 2015-ës, natyrisht. Duhet kuptuar se nevojitet durim dhe mbështetje. Nuk i kam humbur kurrë shpresat me Paun, sepse ai është gjithmonë. Për të qenë në Tokio, duhet të luajë disa muaj”, - tha Skariolo. Pau Gasol e dinte dhe për këtë vendosi të firmosë për Barcelonën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë