Ngjarje

Zyrtare, BE-së i shkon kërkesa për mbylljen e kufijve me Shqipërinë

Në Bashkimin Europian është formuluar zyrtarisht kërkesa që Shqipëria të hiqet nga lista e vendeve të sigurta të udhëtimit, duke çuar kështu në mbylljen e kufijve me vendin tonë. Vendimi që nuk është vetëm për vendin tonë por dhe Serbinë, i mbyll kështu "dyert" dy vendeve të vetme të Ballkanit Perëndimor me të cilët BE ka ende hapur kufijtë.

Komiteti i shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë së Komisionit Europian ka propozuar vendosjen e kufizimeve për Shqipërinë, duke shprehur shqetësime të thella për situatën e pandemisë në vendin tonë. Kjo kërkesë i ka shkuar tanimë ambasadorëve të BE -së, të cilët do të mblidhen sot për të diskutuar mbi rregullat e reja të udhëtimit me vendet e treta.

 Zakonisht ata ndjekin këshillat e komitetit dhe heqja e Shqipërisë nga lista do të zyrtarizohet deri në fund të javës. Ky vendim nënkupton që shqiptarët  do të mund të udhëtojnë vetëm për arsye thelbësore dhe do të përballen me kontrolle më të rrepta kufitare, siç janë testet ose karantina.

Burime nga Ministria e Jashtme i thonë Gazetasi.al se heqja nga lista e vendeve të sigurta të udhëtimit nuk është një vendim obligativ për vendet anëtare të BE-së, të cilat janë të lira të përcaktojnë politikat e tyre kufitare. Burimet thonë se qeveria shqiptare po vazhdon punën për njohjen dhe unifikimin e certifikatave të vaksinimit, në mënyrë që ata që janë imunizuar të mund të lëvizin pa kufizime shtesë

“Pritshmëritë janë që vendet anëtare ose një pjesë e tyre, të lejojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë të cilët janë plotësisht të vaksinuar”, thonë burimet për gazetën "Si" duke pranuar se me heqjen nga lista “jeshile”, nuk përjashtohen masat shtesë edhe për të imunizuarit me dy doza, në varësi të vendit të BE-së.

Gjermania tashmë ka shtuar Shqipërinë dhe Serbinë në listën e  "zonave me rrezik të lartë" për të cilat zbatohen kufizime më të rrepta. BE-ja nga ana tjetër e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta. Vendimet bazohet në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për 1 milion banorë, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike.

Rastet mesatare ditore të Covid-19 në vendin tonë janë rritur ndjeshëm nga nën 70 për 100.000 banorë muajin e kaluar, në më shumë se 214 raste deri më 6 shtator.

Vendi ynë ka shënuar dy javë e fundit një rritje prej 105% të rasteve të reja, sipas të dhënave të OBSH-së. Po ashtu, një sërë vendesh europiane kanë ngritur shqetësime se shumë qytetare shqiptarë po udhëtojnë drejt BE-së me tamponë të falsifikuar.

Më 30 gusht, BE-ja zyrtarisht hoqi Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nga lista e "vendeve të sigurta", për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e COVID-19 në këto vende. Pavarësisht vendimit, Këshilli i BE-së tha se shtetet anëtare mund të vendosin rregulla të veçanta se si do t’i trajtojnë njerëzit e vaksinuar nga këto vende.

Rritja e rasteve me të infeketuar, pas një qetësie relative, nuk është vetëm një dukuri shqiptare, por vihet re në të gjithë Europën ku shtete të ndryshme kanë aplikuar edhe masa shtrënguese të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë