Ngjarje

Zvicra prodhon “birrën shqiponjë”, shitje rekord dhe kërcënime

Një ide gjeniale ajo e një sipërmarrësi nga Zvicra. I frymëzuar nga mënyra e festimit të lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, me simbolin e shqiponjës dykrenare, ai vendosi të prodhonte versionin “shqiponjë” të birrës së Lucernës, që u pagëzuar me emrin “Doppelradler”. Rezultati? Sukses i paparë në shitje, trefishim i prodhimit vjetor, kërkesa pa fund nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe kërcënime dhe policë në fabrikë. Një çështje që ka marrë aktualisht vëmendjen e shtypit në Zvicër.

Gjithçka në këtë histori nisi si një shaka, nën ndikimin e asaj që ndodhi në Botërorin e Rusisë me lojtarët me origjinë shqiptare të kombëtares së futbollit të Zvicrës, Xhakën dhe Shaqirin. Më saktë, me simbolin e festimit të golave të tyre ndaj Serbisë, atë të shqiponjës dykrenare. Ishte një festim që në fakt trazoi jo pak edhe Federatën e Zvicrës, por shërbeu edhe si frymëzim për fabrikën e birrës në Lucernë. Kjo e fundit postoi online recetën e re të birrës së quajtur “Doppelradler”. Etiketa e shishes në foton që shoqëronte postimin tregonte qartë dy duart e kryqëzuara në formën e shqiponjës dykrenare (Doppeladler në gjermanisht).

“Birra shqiponjë”

Impakti ishte jashtë çdo parashikimi, i menjëhershëm dhe mjaft pozitiv. Sasia e parë e birrës së prodhuar nga fabrika, 100 koli, “avulloi” me shpejtësi, por kishte edhe nga që bënë porosi në fabrikë për të blerë këtë birrës, siç tregon për “zentralplus” administratori i kompanisë, David Shurtenberger: “Birra e re pati sukses të jashtëzakonshëm në shitje. Sasia e parë u shit menjëherë, madje kishte nga ata persona që u interesuan në fabrikë për të blerë këtë birrë, por ne nuk kishim në atë moment dhe ata u zhgënjyen”. Më pas fabrika e birrës së Lucernës prodhoi dhe shiti trefishin e prodhimit të saj vjetor. “Për këtë birrë të veçantë, – vazhdon më tej administratori Shurtenberger, – na kanë ardhur kërkesa të shumta nga Prishtina dhe Tirana”.

David Shurtenberger, administratori i fabrikës së birrës në Lucernë

Ka pasur shumë mesazhe përgëzimi për birrën e re në postën elektronike të fabrikës, por nuk kanë munguar edhe kërcënimet, me sa duket, nga nacionalistët zviceranë, ndoshta edhe serbë. Këtu gjithçka u bë serioze. “Kishim edhe një situatë të pakëndshme, kur na ka ardhur një kërcënim se do të dhunohej fabrika dhe punëtorët e saj. Kemi lajmëruar policinë dhe një patrullë me disa policë ishte e pranishme në fabrikë”, – tregon më tej administratori i fabrikës. Edhe sot kjo fabrikë vazhdon të marrë porosi për “birrën shqiponjë”, por pronari ka vendosur të mos prodhojë më për të mos provokuar askënd dhe për të mos shitur birrë vetëm për një grup të caktuar njerëzish.

Ndoshta ndonjë fabrikë birre në Shqipëri apo Kosovë mund ta “vjedhë” idenë e fabrikës së Lucernës për të prodhuar “birrën patriote”. Suksesi do të ishte i garantuar…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë