Politike

‘Zvicra e re? Aq perfekt do ishim të mërzitshëm’, Rama: Më mirë ‘Italia e re’

Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama tashmë do që Shqipëria të cilësohet si ‘Italia e re’.

I pyetur në një intervistë ekskluzive me Richard Attias, organizatorin e FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme) nëse i pëlqen krahasimi i Shqipërisë me një “Zvicër të re”, Rama u shpreh se vendin e sheh më shumë si një “Itali të re”, duke shtuar se Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, por i mallkuar nga historia.

‘Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse nga njëra anë, ne, mendoj, nuk arrimë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, nëse do të bëheshim atëherë Shqipëria do të ishte e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, tha Rama, duke shtuar se është një vend ku gjen mundësitë, kënaqësinë e mikpritjes, e ushqimit, por ku nuk humbet buzëqeshjen.

“Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë kemi pasur dhe kontributin tonë për shumë vite e shekuj. Ky vend me një territor shumë të vogël, ku gjen dy dete, male, 9 lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, një vend për të investuar”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë