Lojëra me Dore

Zverev me diabet që 4 vjeç, hap një fondacion për të ndihmuar fëmijët

Gazeta Si – Aleksander Zverev ka zbuluar së fundi se është diabetik që në moshën 4-vjeçare. Tani gjermani ka krijuar edhe një fondacion të vetin për të ndihmuar fëmijët e sëmurë.

Është sekreti klasik. Në ambientet e brendshme tenistike dihej diçka, por vetë ai nuk ka dashur të flasë kurrë. Tani Zeverev ka vendosur të flasë hapur për diabetin e tipit 1, nga i cili vuan që fëmijë.

E ka bërë këtë gjë me rastin e hapjen e një fondacioni që mban emrin e tij, me seli në Hamburg. Fondacioni ka në krye vëllanë e tenistit, Misha, dhe ka për qëllim të ndihmojë fëmijët që vuajnë nga diabeti.

Aleksander Zverev . Gazeta Si, 6 gusht 2022

"Jo shumë e dinin për sëmundjen time, - ka thënë Sasha në hapjen e fondacionit. – Nuk kam dashur ta them, sepse kisha frikë se kundërshtarët e mi do të ndiheshin më të fortë kundër meje. Sot është ndryshe, jam më i pjekur, kam eksperiencë dhe ndihem shumë mirë të bëj publike këtë iniciativë".

Fondacioni synon të financojë projekte bamirësie për fëmijët e sëmurë dhe të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve dhe kurave për ata që nuk kanë mundësi t’i blejnë.

"Jam në situatën e privilegjuar të bëj jetën që kam ëndërruar. Gjithmonë kam dashur të luaj tenis, të udhëtoj për turne në gjithë botën dhe të jem një nga më të mirët e tenisit botëror, - shprehet kampioni olimpik. – Jam i ndërgjegjshëm se jo të gjithë fëmijët janë kaq me fat. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme për mua të kthej diçka".

Zverev në momentin e dëmtimit në Roland Garros. Gazeta Si, 6 gusht 2022

Zverev po e ndjek këtë pjesë të sezonit si spektator. Ai po ndjek fazën e rikuperimit nga dëmtimi në kavilje që pësoi në Roland Garros, në gjysmëfinalen ndaj Rafael Nadal. Gjermani këputi tre ligamente dhe kreu një operacion.

"Punë nga mëngjësi në mbrëmje me ushtrime. Nuk mund të fiksoj ende një datë për rikthimin. Dua të jem i sigurt se kavilja është shëruar plotësisht", - ka përfunduar Zverev.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë