Interviste

Zv/ministri i FSK-së: Me 8000 trupa. Si po bëhet Kosova me ushtri për në NATO

Nga Xhuliana Toci - Më 18 tetor, dhjetë vjet pasi shpalli pavarësinë nga Serbia, Kosova ndaloi së qënuri vendi më i brishtë në Europë dhe filloi zyrtarisht procedurat për krijimin e ushtrisë së saj. Parlamenti kaloi tre projektligje duke hedhur themelet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), një forcë emergjente e trajnuar për t'iu përgjigjur katastrofave, në një ushtri të rregullt prej 5,000 trupash (plus 3000 rezervistë). Por cilat do të jenë kapacitetet shtesë të kësaj force dhe a do të hapë transformimi i saj rrugën për anëtarësimin në NATO?

Në një intervistë për Gazetën "Si", zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, thotë se Kosova ka mbështetjen e plotë të aleatëve perëndimorë dhe shndërrimi i FSK-së po kryhet në bashkëpunim të plotë me NATO-n. Sipas zyrtarit të lartë, nuk do të jetë e largët dita që Kosova do të mund të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike. Ramadani thekson ndër të tjera se tanimë Prishtina zyrtare ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 14 vende dhe ka rritur bashkëpunimin bilateral me vendet e NATO-s

“Kemi pasur takime informuese në kryeqytete të rëndësishme europiane dhe kemi mbajtur për herë të parë një takim të tillë edhe në selinë qendrore të NATO-s. Ne do të vazhdojmë takimet informuese edhe në kryeqytete të ndryshme perëndimore, ndërkohë që po thellojmë raportet bilaterale. Së fundmi, më 18 shtator kemi nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Italisë, duke arritur kështu numrin 14 të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtete të ndryshme”, shprehet ai.

Burim Ramadani 

Por transformimi i FKS-së është parë si një kërcënim për paqen nga Serbia. Ministri i Jashtëm serb reagoi ashpër duke deklaruar se Beogradi do të kundërshtonte çdo përpjekje të shqiptarëve të Kosovës për formimin e një ushtrie të mirëfilltë.

Cilat janë kapacitetet shtesë që do të ketë e FSK-ja, sipas projektligjeve të miratuara nga Kuvendi?

"Tranzicioni i FSK-së do të jetë i mbështetur në një plan 10-vjeçar, i cili është realisht një plan afatgjatë i mbështetur në zhvillimin e aftësive në kohë, fazat e ndara të tranzicionit, përfshirë këtu riorganizimin, doktrinën, trajnimet, edukimin, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve, bashkëpunimin me NATO-n, si dhe parashikimet buxhetore. Kohëzgjatja e zhvillimit dhe arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale të FSK-se është 10 vite dhe ndahet në tri faza zhvillimore, të mbështetura në vendosjen e prioriteteve. Aftësitë Operacionale të FSK-së për mbështetjeje të autoriteteve civile do të mbahen edhe gjatë periudhës së tranzicionit. Projektligjet e dërguara në Kuvend e bëjnë FSK-në një organizatë të plotë ushtarake dhe i japin një mandat mbrojtës. Nuk ka kufizime dhe konfuzion institucional. Gjithçka që i duhet një organizate ushtarake dhe mbrojtëse është e përcaktuar qartësisht në projektligjet që tashmë janë në procedurë parlamentare.

Kosova do të ketë organizatën e saj ushtarake, bazuar në parimet më demokratike të qeverisjes dhe mbikëqyrjes civile të sektorit të sigurisë. Këto projektligje, që së shpejti do të miratohen të jenë ligje, i ofrojnë FSK-së kornizën e plotë ligjore që të arrijë zhvillimin në mandatin dhe misionin e ri institucional, duke mos humbur kapacitetet aktuale.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Kosova do të ketë Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të jetë përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e politikave të mbrojtjes dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe biletaral në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. FSK, sipas konceptit transparent dhe të koorndinuar, do të jetë organizatë ushtarake me mision mbrojtës, bazuar në kërkesat dhe nevojat reale të sigurisë së Kosovës. Ajo do të jetë e gatshme të kontribuojë në sigurinë e brendshme dhe atë rajonale, ndërsa presim po ashtu që të mund të bëhet pjesë e misioneve ndërkombëtare, krah për krah me ushtarët e NATO-s apo vendeve partnere, të cilat na kanë ndihmuar në vendosjen dhe mbështetjen e paqes gjatë këtyre 20 vjetëve. FSK do të ketë 5000 pjesëtarë aktivë dhe 3000 rezervë, duke u bazuar në vlerësimet dhe të dhënat e grumbulluara gjatë Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, në vitin 2014.

Pak pas votimit në parlament ministri serb Mbrojtjes, Aleksandër Vulin deklaroi se ushtria e Kosovës po krijohet për të kërcënuar serbët dhe Serbinë. A mendoni se mandati i ri i FSK-së do të bëhet shkak për acarimin e marrëdhënieve me Beogradin?

"Mendoj se deklaratat e politikanëve të caktuar në Beograd, të cilët kanë një mendësi të vjetër, janë krejtësisht të paqëndrueshme. Janë qëndrime politike që dëshmojnë gabimet e tyre logjike. FSK është, në thelb, produkt i NATO-s. FSK është fëmijë i NATO-s.

Rritja dhe zhvillimi i saj është bazuar plotësisht në standardet e NATO-s dhe vendeve më demokratike të botës. FSK është institucion profesional dhe multi-etnik. Madje, është më diverse se popullata të cilës i shërben.


Forca e Sigurisë së Kosovës

NATO ka deklaruar se mbështet zhvillimin e vazhdueshëm të FSK-së, por se ndryshimet e mëdha duhet të konsultohen me të gjitha komunitetet e prekura dhe me NATO-n. A është duke u konsultuar transformimi i Forcave të Sigurisë me përfaqësues të aleancës ushtarake?

"Gjatë këtyre muajve dhe vitit të fundit, ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë një qasje e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë në përpjekjet e institucioneve të Kosovës për gjithëpërfshirje. Ne kemi ndërmarrë vazhdimisht përpjekje të koordinuara. Komunikimet brenda Kosovës dhe jashtë Kosovës kanë qenë në fokusuara në një plan veprimi, që është krejtësisht transparent me partnerët.

Përsa i përket komunikimit të jashtëm, ne kemi filluar disa muaj më parë fushatën informuese me shtetet partnere dhe me NATO-n. Kemi pasur takime informuese në kryeqytete të rëndësishme europiane dhe kemi mbajtur për herë të parë një takim të tillë edhe në selinë qendrore të NATO-s. Ne do të vazhdojmë takimet Informuese edhe në kryeqytete të ndryshme perëndimore, ndërkohë që thellojmë raportet bilaterale. Së fundmi, më 18 shtator kemi nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Italisë, duke arritur kështu numrin 14 marrëveshjeve bashkëpunimi me shtete të ndryshme.

Forca e Sigurisë së Kosovës

Në përgjithësi, është e qartë se parneriteti me shtetet perëndimore dhe me NATO-n do të vazhdojë pa asnjë dilemë, duke thelluar dhe avancuar detajet e bashkëpunimit. Ne mendojmë se prezenca e përhershme e NATO-s ndihmon jo vetën Kosovën por edhe rajonin. Duam të jemi anëtar të NATO-s dhe angazhimi i përbashkët me aleancën ushtarake do të thellohet.

KFOR-i do të vazhdojë të jetë në Kosovë. NATO ka mekanzimin NALT dhe programin e Ndërveprimit të Zgjeruar me MFSK-në. Këto bashkëpunime do të vazhdojnë të jenë funksionale. Vendimi për tranzicionin e FSK-së është vendim sovran i shtetit të Kosovës, i cili është duke u marrë në kuadër të konsultave me shtetet partnere dhe NATO-n".

Çfarë mendoni se do të sjellë ky transformim i Forcave të Sigurisë së Kosovës për rajonin?

"Rajoni do të përfitojë nga transicioni i FSK-së. Synimi dhe objektivi ynë është që Kosova të shndërrohet në një vend që ofron siguri. Përmes tranzicionit të FSK-së, Kosova është e gatshme që krah për krah me shtetet e rajonit, të kontribuojë në përballimin e sfidave rajonale dhe globale në përballimin e katastrofave natyrore apo nevojave të ndryshme të sigurisë së rajonit.


Burim Ramadani

Për më shumë, ne synojmë që Kosova të jetë vendi i 31-të i NATO-s. Shpresoj se Maqedonia të anëtarësohet gjatë javëve apo muajve të ardhshëm dhe që vendi i radhës të jetë Kosova. E kam të qartë se anëtarësimi në NATO është në thelb proces politik dhe jam i bindur se do të gjenden mënyrat specifike për të drejtuar Kosovën në rrugën e saj drejt NATO-s. Kosova është konceptualisht pjesë Mbrojtjes së Mençur dhe si e tillë paraqet një hap tejet të rëndësishëm përpara".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë