Ngjarje

Zjarri në Malin e Thatë në Pustec del jashtë kontrollit, 100 forca policore e zjarrfikëse në terren

Gazeta Si - Zjarri në Malin e Thatë në Pustec ka dalë sërish nga kontrolli. Punonjësit kanë bërë të pamundurën për të ngushtuar perimetrin, duke luftuar me flakët edhe gjatë mbrëmjes së kaluar.

Në ditën e 9 të ndërhyrjes, gjatë mbrëmjes u bë ngushtimi i perimetrit nga ana e zjarrfikësve, por mëngjesin e sotëm ka patur sërish përhapje dhe agravim të flakëve për shkak të erës.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, flakët janë përhapur edhe më shumë gjatë mëngjesit, duke marrë drejtim nga fshati Goricë e Madhe, si edhe nga dogana e Goricës, duke depërtuar thellë në pyll.

Në terren momentalisht kanë zbritur 100 forca, ndërkohë që është bërë kërkesa që AKMC, në varësi të mundësisë më të parë, të sjellë helikopter për të ndërhyrë nga ajri.

Prej 4 ditësh nuk ka pasur ndërhyrje nga ajri dhe deri tani përllogaritet se janë djegur rreth 900 hektarë pyje dhe kullota.

Sipas drejtuesve lokalë ndërhyrja nga ajri shikohet si e vetmja mundësi për të ndaluar përparimin e flakëve drejt zonave me bimësi më të lartë.

Vatra zjarri janë shfaqur edhe në bashkitë e Lushnjës dhe të Selenicës, por falë ndërhyrjeve në kohë të reparteve zjarrfikëse kanë mundur të vihen nën kontroll, ndërsa situata po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë