Ka ndodhur

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra gjatë 24 orëve, 3 aktualisht aktive

Nga Gazeta Si -Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë raportohen 11 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 8 vatra zjarri dhe janë aktive 3 vatra zjarri.

Këto janë të dhënat e fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes.

Drejtori i Gatishmërisë dhe përgjegjës ndaj Emergjencave, Robert Hysenllari bën me dije se është bërë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave këto fshatra: në fshatin Dhores, bashkia Skrapar; në vendin e quajtur Ligata, bashkia Elbasan; në fshatin Sovjan, bashkia Maliq; në fshatin Derven Kodër, bashkia Krujë; në fshatin Saver, bashkia Lushnje; në vendin e quajtur Berdenesh, bashkia Sarandë; në fshatin Gumenicë, bashkia Selenicë, në fshatin Ndershen, bashkia Mirdite.

Ndër të tjera, drejtori i Emergjencave bën me dije se për shuarjen e zjarreve gjatë 24 orëve janë angazhuar kapacitetet operacionale në nivelin vendor dhe qendror.

“Janë angazhuar 255 forca operacionale nga Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, AdZM, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 28 mjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera operative”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Vijojnë aktive vatrat në: në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe, në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, ku me gjithë punën e forcave zjarrfikëse dhe bashkiake nuk u bë e mundur fikja e saj dhe sot në orët e para të mëngjesit ka vazhduar operacioni me mbështetjen dhe të 50 efektivëve të FA.

Ndërsa sa i përket situatës në Dropull, Qendra e Emergjencave thotë se ndërhyrja e forcave operacionale ka qene e menjëhershme duke shmangur rrezikun e djegies se banesave, por edhe Greqia ka ofruar asistencë ndërkombëtare me 2 avionë për ndërhyrje nga ajri.

“Bashkia Dropull në këtë situatë u mbështet me mjete zjarrfikëse nga bashkitë Libohovë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Memaliaj, Sarande, Finiq dhe Forcat e Armatosura. U angazhuar 144 forca operacionale dhe 12 mjete zjarrfikëse.

Duke marrë në vlerësim situatën e krijuar në bashkinë Dropull është aktivizuar sistemi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (ERCC), nga ku Greqia ka ofruar asistence ndërkombëtare me 2 avionë për ndërhyrje nga ajri. Me ndërhyrjen nga ajri dhe toka përgjatë gjithë ditës së djeshme edhe deri sot është bërë e mundur mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe banorëve. Sot në orët e para të mëngjesit ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy avionëve të Qeverisë Greke”, vijon njoftimi.

Qendra e Emergjencave u bën apel qytetarëve që të raportojnë menjëherë vatrat e zjarrit pranë çdo strukture të sistemit të mbrojtjes civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë