Ka ndodhur

Zjarr në ambientet e spitalit Covid 3 në QSUT, Manastirliu: Po hetohen të gjitha pistat

Ambientet e spitalit Covid-3 në QSUT, në Tiranë janë përfshirë nga zjarri këtë të shtunë. Flakët kanë rënë në katin e parë të godinës së ish-Kirurgjisë, e cila prej kohësh funksionon si spital Covid. Mësohet se në katin e parë janë zyrat e administratës dhe nuk ka pacientë të shtruar.

Sakaq, ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Policia bën me dije se ka vetëm dëme materiale.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Ogerta Manastirliu siguroi se zjarri "nuk ka rënë në zonën e pavionëve por në zonën e gjelbër. Në zonën ku janë shërbimet mbështetëse dhe nuk është e lidhur me tre pavionet covid 1, 2 dhe 3".

Manastirliu pohoi se stafi dhe pacientët janë shumë mirë dhe nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Po a përjashtohet pista e zjarrvënies së qëllimshme? “Ka disa pista që po hetohen. Po vlerësohen të gjitha", - tha ajo.

Mbi 70 pacientë ndodhen në spitalin Covid 3. Prej kohësh godina e ish-Kirurgjisë në QSUT shërben si spital Covid, ku sillen për të marrë shërbim pacientët që përmirësohen në Spitalin Infektiv Covid 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë