Ka ndodhur

Zjarr i madh në Kaninë të Vlorës. Digjen ullishtet, në rrezik disa banesa

Gazeta Si - Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mesditën e të enjtes kodrat me ullishte në fshatin Kaninë të Vlorës, ku janë shkrumbuar me qindra rrënjë ullinj.

Flakët masive rrezikojnë edhe banesat që ndodhen në afërsi të zonës, pasi edhe era i ndihmon në përhapjen e shpejtë të tyre.

Zjarrfikëset ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë se bashku me banorët e zonës për shuarjen e flakëve.

Mbi dy mijë rrënjë ullinj janë djegur dhe vijojnë të digjen, në ndihmë për shuarjen e flakëve ka mbërritur dhe helikopteri. Gjithashtu ndodhen dhe 3 mjete zjarrfikëse.

Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, i cili ndodhet në terren, tha se rrezikohen disa banesa, pasi era po favorizon flakët, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës.

Ai u bëri thirrje të gjithë banorëve të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. “Kemi dy tre banesa që mund të rrezikohen, por për shkak të rrethimit me rrugë besoj që nuk do të ketë probleme. Nesër vlerësimin duhet ta bëjë Bashkia e Vlorës. Era me këtë intensitet që ka rrezikon. Organet ligjzbatuese kanë hapur çështje penale për të gjitha zjarret që janë të paktën në qarkun e Vlorës”, tha Mamaj.

Forcat e tjera nuk mund të angazhojmë. Ky ka qenë reagimi i shpejtë. Janë forcat e pyjores, zjarrfikëset dhe ndërhyrja nga ajri që është më e shpejta e realizuar... Nesër do të identifikojmë sa rrënjë ullinj janë dëmtuar. Ne po vlerësojmë situatën për ndërhyrje me zjarrfikëse dhe vullnetarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë