Nga Gazeta ‘SI’ - Pasiguria për zhvillimin e mëtejshëm të tregut imobiliar në Shqipëri, frenoi kërkesën për kredi nga qytetarët gjatë tremujorit të parë 2023. Banka e Shqipërisë, në anketën e saj për aktivitetin kreditues, raporton se bankat tregtare e kanë cilësuar këtë faktor kryesor, shtuar edhe rritjen e normës së interesit e besimin konsumator.
Rënie pësoi dhe numri i kredive të miratuara, që lidhet me politikat bankare, historiku i punësimit dhe stabiliteti i individëve në tregun e punës.
Gjithsesi, kushtet e kreditimit për individë u lehtësuan gjatë kësaj periudhe, për shkak të konkurrencës së shtuar bankare dhe një tolerancë më e lartë e bankave kundrejt rrezikut.
Në tremujorin e dytë të vitit 2023, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish në rënie, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit dhe të ketë një lehtësim të mëtejshëm të standardeve.
Tërësisht zhvillime të ndryshme kanë ndodhur në aktivitetin kreditues të bizneseve për të njëjtë kohë.
Fillimisht, bankat shtrënguan standardet e kreditimit për biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh, si për arsye financimi edhe për likuiditet. Kjo ndodhi sepse bankat perceptonin rrezik në aftësinë paguese të tyre, në situatën aktuale ekonomike.
Gjithsesi kërkesa dhe miratimi i kredive të biznesit mbeti përsëri e lartë në periudhën janar-mars 2023. Bizneset e vogla dhe të mesme patën kërkesë më të lartë. Rritja e miratimit të kredive, sipas bankave, ishte i lidhur me historikun e kreditit të biznesit. Po ashtu, përmirësimi i besimit të biznesit u raportua si faktor që mbështeti zgjerimin e kërkesës për kredi.
Bankat presin lehtësim të kreditimit për biznese tremujorin e ardhshëm dhe rritje tjetër të kërkesës për të gjitha llojet e biznesit dhe qëllimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.