Ngjarje

Zhdukja misterioze e Tony 5dimes, themeluesit të një prej kompanive më të mëdha të basteve

Ishte një natë shtatori 2018, në San Pedro, Costa Rica, kur 43-vjeçari William Sean Crieighton la zyrën e tij dhe u drejtua për në shtëpi. Rrugës, u ndalua nga dy oficerë policie afër San Francisko të San Isidro në Heredia. Creighton ishte themeluesi i 5dimes, një platforme të suksesshme bastesh online, një nga njerëzit më të fuqishëm dhe më të pasur në Kosta Rika. Biznesi i tij, ndërsa ishte i ligjshëm në Kosta Rika, ishte i jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara, ku Creighton ishte shtetas amerikan. Ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Kosta Rika, duke u martuar me një vendase. Atë natë, Creighton nuk u ndalua sepse po ecte me shpejtësi ose sepse kishte shkelur ndonjë ligj tjetër. Policët i kishin zënë pritë. Ishin të korruptuar, dhe ishin vënë pas parave të tij. Pranë makinës së policisë, u afrua edhe një furgon gri. Katër njerëz dolën jashtë dhe e rrëmbyen.

William Sean Crieighton

Creighton kishte mbajtur gjithmonë një profil të ulët në Kosta Rika. Megjithëse kishte një pasuri përrallore, ai vishej thjeshtë, bluzat dhe sandalet ishin uniforma standarde. Udhëtonte vetëm dhe rrallë përdorte roje. Nuk preferonte të ekspozohej. Në dokumentet e kompanisë, ai nuk figuronte askund. Në Kosta Rika askush nuk e dinte emrin e tij të vërtetë. Asnjë foto e tij. Koleget dhe klientët e tij e njihnin vetëm si "Toni”. Me pak fjalë, një fantazmë e gjallë. Dhe për gati dy dekada kjo kishte funksionuar, nuk ishte në qendër të vëmendjes dhe i sigurt si nga ligji ashtu edhe nga të "jashtëligjshmit’’. Sidoqoftë, atë natë, një koalicion mes të dy palëve e kishin vënë në shënjestër. "5dimes Toni" ishte rrëmbyer.

Creighton ishte pjesë e atij brezi "’bastexhinjve’’ të hershëm. Një nga pionierët e hershëm në tregun e basteve sportive online ishte, Al Ross. Ross drejtoi një numër të madh të basteve dhe kazinove në internet, ku Creighton ishte lojtari më i suksesshëm. Në 1998, Ross ishte një nga 21 operatorët sportivë që u ndoqën penalisht nga qeveria amerikane. Për shkak se tarifat e tij ligjore ishin në rritje, Ross vendosi të shkurtojë humbjet e tij. Ai i ofroi Creighton kompaninë e tij. Creighton e pranoi ofertën dhe në vitin 1999, ai u nis në Kosta Rika, ku themeloi  biznesin  me dy nga miqtë e tij të fëmijërisë dhe pesë amerikanë të tjerë që ai kishte punësuar. Kompania e Creighton u quajt "5dimes", - term i përdorur nga bastexinjtë  për shifrën 5,000 dollarë. Vetë emri ishte një mesazh për botën e lojërave të fatit, që Creighton ishte i gatshëm të rrezikonte me shifra të mëdha.

Kur Creighton zbriti nga kamioni, ai u gjend në një vend të çuditshëm. Nuk ishte një bodrum i vjetër dhe i errët me një llambë të vetme, nga ato që jemi mësuar të shohim nëpër filma. Ishte shtëpia modeste dhe e mirëmbajtur e një gruaje të moshuar në La Trinidad de Morovia, rreth 6 milje nga vendi ku ai ishte rrëmbyer. Makina e tij u zhvendos në një lokacion tjetër në Heredia, larg vendit ku u rrëmbye, duke e përplasur, për të krijuar idenë e një aksidenti.

Makina e Crieighton

Rreth orës 03:00, gruaja e Creighton, Laura Varela Fallas, mori një telefonatë nga dikush që nuk e njihte. Ishin rrëmbyesit që i kërkonin 5,000,000 dollarë dhe se nuk do të prisnin deri në mëngjes. Pasi u sigurua që Creighton ishte akoma gjallë, pjesa më e vështirë ishte se ku do të siguroheshin pesë milion dollarë para mëngjesit? Përgjigja : Bitcoin. Në pamundësi për të siguruar pesë milionët e plotë, ajo dërgoi një milion në bitcoin. Pas një seri klikimesh, rrëmbyesit kishin paratë në portofolin e tyre të bitcoin. Edhe pse pagesa u krye, Creighton nuk u lirua.

Ndërkohë, Varela Fallas kishte punësuar tashmë dy hetues privat, dy ish-agjentë të FBI nga Shtetet e Bashkuara, për ta ndihmuar të gjente bashkëshortin. Në orën 9:00 ajo kontaktoi Policinë Gjyqësore të Kosta Rikës (OIJ), por ishte e qartë se, ajo nuk besonte në autoritetet vendase. Amerikanët dhe OIJ, secili zhvilluan hetimet e tyre të veçanta, duke garuar se kush mund ta gjente më parë Creighton. Amerikanët goditën të parët, pasi gjetën makinën e shkatërruar të Creighton, ku menjëherë dyshuan se përplasja ishte e inskenuar.  Nga ana e tyre, OIJ ishte në gjendje të gjurmonte transaksionin në tre kuleta të ndara bitcoin dhe zbuloi se ato i përkisnin një inxhinieri kompjuterik 25-vjeçar, të quajtur Jorduan Morales Vega. Pavarësisht se është një ekspert kompjuterik, Morales Vega duhet të ketë keqkuptuar sesi funksionon cryptocurrency. Sipas OIJ, portofoli i bitcoin ishte krijuar nga shtëpia e Morales Vega në Cartago. Duke ndjekur gjurmët e transaksionit, ata ishin në gjendje të zbulonin  emrin dhe adresën e Morales Vega. Por ishte tepër vonë. Në kohën kur OIJ kishte emrin e Morales Vega, ai tashmë ishte larguar, pasi kishte kaluar kufirin Panamez. Morales Vega, si dhe "5dimes Toni", ishin zhdukur.

Shtëpia ku u rrëmbye

Në ditët pas rrëmbimit, Jorduan Morales Vega u zhvendos në Kubë, ku ai tërhoqi fondet e bitcoin. Pasi qëndroi në atë shtet për një muaj, Morales Vega mbërriti në Spanjë në 9 nëntor dhe u takua me anëtarët e tjerë të bandës së tij, ku bënin pjesë nëna e tij, gruaja e tij dhe xhaxhai i tij. Por nga ana tjetër autoritetet spanjolle po i prisnin, pasi ishin njoftuar nga OIJ se rrëmbyesit ishin drejtuar për atje. Morales Vega duhet ta ketë ndier rrezikun. Kudo që ai ose familjarët e tij shkonin, udhëtonin vetëm me taksi. Kurdoherë që u kërkohej të identifikoheshin, ata jepnin emra të rremë. Policia po monitoronte çdo veprim të tij, duke pritur për kohën e duhur për të goditur, duke shpresuar se Creighton ishte akoma me të.

Koha kalonte dhe nga Creighton nuk kishte asnjë gjurmë. Disa mendonin që Creighton ishte i sigurt dhe gjallë, duke ndryshuar përsëri identitetin e tij. Të tjerë besonin se Creighton kishte vdekur, dhe që në vrasjen e tij ishin përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Në janar, më shumë se tre muaj pas rrëmbimit, policia spanjolle arreston Jorduan Morales Vega, nënën e tij 45-vjeçare Guiselle Vega Aguirre dhe të dashurën e tij 24-vjeçare, Maria Fernanda Solis Chaves.

https://www.youtube.com/watch?v=1lRqSrDKTRo

Po atë ditë përtej Atlantikut, policia e Kosta Rikës ndërmori një aksion në të gjithë vendin, ku arrestoi  nëntë të dyshuar, duke përfshirë dy oficerët e policisë që ndaluan Creighton atë natë , dhe gjyshen 71-vjeçare të Morales Vega, Aguirre Leal, shtëpia e së cilës u përdor për rrëmbimin. Pas disa kërkimeve në bodrumin dhe në zonën përreth, policia nuk gjeti asnjë gjurmë. Helberto Moreira, avokati që përfaqësonte Morales Vega dhe disa nga të arrestuarit e tjerë, tha se klientët e tij ishin viktima, dhe se Creighton ishte gjallë dhe kishte falsifikuar vdekjen e tij. Për shkak se identiteti i Creighton ishte zbuluar nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme, Moreira argumentoi se Creighton krijoi të gjithë skemën për t'i shpëtuar drejtësisë. Ndërsa Morales Vega, e ëma dhe e dashura e tij prisnin ekstradimin në Spanjë, rrëmbyesit në Kosta Rika u dënuan me gjashtë muaj. Të dy oficerët e policisë u lanë të lirë.

Në mars të vitit 2019, tabloidi Diario Extra, raportoi se ata kishin marrë një video, ku shfaqej një trup i mbështjellë, duke u varrosur në një zonë të humbur. Burimi i tha Diario Extra se ndërsa Creighton po mbahej peng, ai njohu një prej rrëmbyesve të tij, një njeri që dikur kishte punuar për Creighton. Duke mos patur zgjidhje tjetër, rrëmbyesit vendosën ta vrisnin. Në video, megjithatë, nuk kishte asnjë indikacion se trupi ishte i Creighton. Në fund të prillit, Morales Vega dhe familja e tij u ekstraduan në Kosta Rika, në pritje të gjyqit.

Arrestimi i Morales Vega

Gjashtë muaj më vonë, më 5 shtator 2019, hetuesit e OIJ kontrolluan një varrezë në qytetin e Puntarenas, rreth tre orë nga ku Creighton u pa për herë të fundit i gjallë. Hetuesit zhvarrosën një varr dhe zbuluan -mbetje njerëzore. Por, hetuesit e OIJ ishin duke vepruar në bazë të një informacioni, se pikërisht në këtë vend ishte fshehur trupi i Creighton. Provat që u gjetën përputheshin me ato të Creighton, dhe OIJ njoftoi se ata së kishin gjetur "5dimes Tony". ESPN konfirmoi zbulimin, duke cituar Departamentin Amerikan të Shtetit: "Ne mund të konfirmojmë, se autoritetet e Kosta Rikës kanë zbuluar trupin e Creighton."

Prokuroria e Kosta Rikës ishte skeptike. Pavarësisht njoftimit të OIJ, zyra e prokurorisë nuk pranoi të konfirmonte që mbetjet ishin në të vërtetë të Creighton, duke thënë se ata ishin duke pritur në një raport të plotë mjeko-ligjor sesa thjesht një ekzaminim dentar. Gruaja e Creighton dhe familja (të dy prindërit e tij tashmë kanë vdekur) kanë kërkuar testin e ADN-së, por, të paktën deri më tani, nuk është bërë ende.

5dimes vazhdon të funksionojë në Kosta Rika dhe është akoma një nga kompanitë më të mëdha në botë. Ndoshta, Creighton e falsifikoi vdekjen e tij. Ndoshta, pas pesëmbëdhjetë vitesh operimi në fshehtësi, zbulimi i identitetit të tij, e bëri të domosdoshme që ai të zhdukej, të fillonte nga fillimi. Shpjegimi më i thjeshtë mund të jetë gjithashtu e vërteta: Creighton është vrarë. Në secilën rast, i vdekur ose i gjallë, "5dimes Toni" është zhdukur përgjithmonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë