Ngjarje

Zhdukja misterioze e 26-vjeçarit në lumin Seman, mbyllen pa sukses kërkimet në ditën e tretë

Gazeta Si - Për të tretën ditë me radhë janë mbyllur pa sukses kërkimet në ujërat e lumit Seman për zhdukjen misterioze të Mateo Likës dhe automjetit të tij.

Polumbarët e RENEA-s, bashkë me banorët e zonës, kanë kërkuar edhe këtë të martë për gjetjen e automjetit tip “Golf”, i cili dyshohet se ka rënë në ujërat e këtij lumi.

Mësohet se kërkimet e sotme kanë qenë më intensive dhe janë përdorur edhe mjete të sofistikuara për të bërë të mundur gjetjen e mjetit.

E gjithë rrjedha e lumit është këqyrur me dron, ndërsa ende nuk ka informacion se në cilat pista të hetimit do të fokusohet policia gjatë ditëve në vijim.

Policia e Fierit ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ku si pistë kryesore mbetet hipoteza nëse automjeti ka rënë apo jo në ujë. Në ujërat e lumit Seman po kërkohet edhe nga policia, por edhe nga polumbarët.

Në pyetje janë marrë familjarët e 26-vjeçarit, por deri tani asnjë nga deklarimet e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes.

Edhe telefoni i të riut mbetet i fikur, ndërkohë që të afërm të tij deklarojnë se Mateo Lika kishte pak muaj që ishte në Gjermani dhe se në Fier kishte ardhur 3 ditë përpara sesa të merrte makinën me qira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë