Lojëra me Dore

Zhdukja e tenistes, WTA kërcënon Kinën me anulim të çdo turneu në këtë vend

Çështja e tenistes Peng Shuai ka trazuar botën e tenisit. WTA (Federata e Tenisit të Femrave) ka kërcënuar se do të anulojë çdo turne në Kinë, nëse nuk qartësohet kjo çështje. Peng Shuai, pasi akuzoi ish-zëvendëskryeministrin e Kinës, Zhang Gaoli, se e kishte dhunuar seksualisht, është zhdukur që prej datës 4 nëntor.

Ditët e fundit tenistja kineze i ka dërguar një letër WTA-së, ku i quante “false" akuzat për përdhunim dhe deklaronte se nuk ndihej në rrezik, por ishte në shtëpi duke pushuar. Federata profesioniste e tenisit të femrave në fat ka dyshime shumë të forta në lidhje me vërtetësinë e dokumentit, që mund të jetë dërguar nga dikush tjetër në emër të Peng Shuai.

Tenistja kineze, Peng Shuai. Gazeta Si, 18 nentor 2021

“Jemi përgatitur plotësisht për të tërhequr aktivitetet tona dhe për të përballuar të gjitha pasojat, - ka pohuar Steve Simon, numri 1 i WTA-së për CNN. – Sepse akuzat për përdhunim janë më të rënda se çdo gjë tjetër".

Peng Shuai, ish-numri 1 në botë në tenisin në çift, akuzoi me një postim në rrjetet sociale ish-zëvendëskryeministrin kinez Zhang Gaoli, - që nga 2013-a në 2018-ën ka qenë një nga politikanët më të fuqishëm të Kinës, - se e kishte detyruar me forcë të kryente marrëdhënie seksuale. Kjo akuzë u publikua më 2 nëntor në llogarinë zyrtare në Weibo të tenistes. Më 4 nëntor Kina bllokoi çdo referim të këtij mesazhi dhe që atëherë nuk ka më asnjë lajm për tenisten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë