Ngjarje

Zhdukja e Florijana Ismailit, rrëfehet shoqja e saj: Mendova se ishte shaka!

Në liqenin e Komos vazhdojnë ende kërkimet për gjetjen e trupit të futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, e cila u hodh nga barka në ujërat e këtij liqeni për të mos dalë më prej aty. Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën e kaluar dhe mori gjithë vëmendjen e shtypit. Që atë ditë janë bërë kërkime të pandërprera në liqen, edhe me robotë, por trupi i futbollistes 24-vjeçare shqiptare, që luante për ekipin Jang Bojs dhe për kombëtaren e Zvicrës, nuk është gjetur.

Policia e ka përfshirë emrin e Florijana Ismailin në listën e personave të zhdukur. Në zonën e Musos, ku ndodhi tragjedia, një robot vazhdon të bëjë kërkime në fundin e liqenit, por është shumë e vështirë, sepse në atë vend thellësia shkon deri në 120 metra dhe mundësitë janë të mëdha që trupi të jetë marrë nga rryma. Momentet dramatike të asaj pasditeje të mallkuar i ka treguar shoqja e ngushtë e futbollistes, e cila ishte me Florijanën në barkë: “Mendova se ishte një shaka, - ka thënë ajo për të përditshmen zvicerane “Blick”. – Mendova se e bëri atë veprim për të më frikësuar dhe se do të dilte nga ana tjetër e barkës. U frikësova shumë më pas dhe më kot thirra me forcë emrin e saj”.

Nga kërkimet në liqenin e Komos për gjetjen e trupit të futbollistes Ismaili

Një nga vëllezërit e Florijanës ka thënë se familja i ka humbur shpresat, ndërsa policia vazhdon kërkimet pa ndërprerje. Frika më e madhe është se futbollistja mund të ketë pësuar infarkt prej kalimit nga ajri i nxehtë në ujë të ftohtë. Për zhdukjen e Florijana Ismailit, titullare e kombëtares së Zvicrës për femra, kanë reaguar figura të njohura të sportit në mbarë botën, duke postuar mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale. Një tjetër ngjarje e rëndë kjo që godet botën e sportit, pas ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të sulmuesit argjentinas, Emiliano Sala, avioni i të cilit u rrëzua në kanalin e Lë Manshit disa muaj më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë