Shkenca thotë se duhanpirja rrit ndjeshëm rrezikun për komplikacione të shkaktuara nga koronavirusi. Por, paradoksalisht, zgjidhja për të mposhtur pandeminë mund të vijë nga një prej kompanive më të mëdha të prodhimit dhe shitjes së duhanit
“British American Tobacco” deklaroi së fundmi se po punon për gjetjen e një vaksine kundër Covid-19 përmes degës së saj, “Kentucky BioProcessing”, një laborator i përqëndruar në kërkimet shkencore bioteknologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkencëtarët e këtij laboratori thonë se janë në fazën e paratestimit klinik të një vaksine. Në një deklaratë për shtyp, kompania tha se shpreson që të prodhojë 1 deri në 3 milionë vaksina duke filluar që prej muajit qershor.
“Kentucky BioProcessing” përqëndron punën e tij në prodhimin e vaksinave me bazë bimore, duke shfrytëzuar infrastrukturën e kompanisë mëmë, “British American Tobacco”. Laboratori nuk është amator në kërkime të tilla. Ai u vendos në qendër të vëmendjes si një prej të vetmëve që arriti të zbulojë një kurë efektive kundër ebolës në 2014-ën.
Së fundmi, shkencëtarët e KBP deklaruan se kanë klonuar me sukses një sekuencë gjenetike të koronavirusit, duke i hapur rrugën zhvillimit të një antigeni potencial, një substancë që nxit sistemin imunitar në prodhimin e antitrupave në organizëm për të luftuar viruset.
Kompania thotë se shfrytëzoi fushat e kompanisë “British American Tobacco” dhe fabrikat e prodhimit e të përpunimit të duhanit për të prodhuar antigenin në fjalë me bazë bimore. Për shkak të sekretit shkencor, kompania nuk bën me dije emrin e bimës së përdorur në prodhimin e kësaj substance, por thotë se antigeni më pas iu nënshtrua një procesi pastrimi dhe tashmë ndodhet në fazë testuese paraklinike.
“Zhvillimi dhe prodhimi i një vaksine është një punë sfiduese dhe komplekse, por ne besojmë se kemi bërë një hap domethënës me platformën tonë teknologjike të prodhimit të duhanit dhe jemi gati që të punojmë me qeveritë dhe të gjithë të tjerët për të fituar luftën kundër Covid-19”, deklaroi Davir Orley, drejtues shkencor në “British American Tobacco”.
Kompania në fjalë prej vitesh ka investuar në diversifikimin e aktiviteteve të saj, duke mos u përqëndruar vetëm tek aktiviteti kryesor, ai i prodhimit dhe përpunimit të duhanit.
“KPB prej kohësh eksploron përdorimet alternative të platformave tona të prodhimit dhe përpunimit të duhanit. Njëra prej këtyre alternativave është edhe zhvillimi dhe prodhimi i vaksinave me bazë bimore. Jemi të vendosur që të kontribuojmë mnë përpjekjen botërore për të ndalur përhapjen e koronavirusit duke e shfrytëzuar këtë teknologji”, sqaron Orley.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




