Politike

Zgjerimi sipas Francës, kushte më të forta dhe proces i kthyeshëm

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka shuar edhe zyrtarisht zërat që kanë hamendësuar deri më tani se u ka propozuar vendeve të Ballkanit Perëndimor një “partneritet special” në këmbim të heqjes dorë nga ambicia për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Franca ka dorëzuar për shqyrtim në qeveritë e vendeve anëtare të BE-së këndvështrimin e saj se si duhet të jetë procesi i zgjerimit. Bëhet fjalë për një draft ende të pazyrtarizuar thelbin e përmbajtjes të të cilit e ka publikuar Radio Europa e Lirë.

Në këtë draft, Parisi propozon që procesi i anëtarësimit të një vendi kandidat të bazohet në katër parime dhe të ndahet në faza. Parimi i parë është ai i përafrimit gradual e të kujdesshëm. I dyti lidhet me kushtet, që sipas Francës duhet të jenë më të ashpra dhe më të qarta. Parimi i tretë flet për përfitime konkrete nga të dyja palët, ku BE “importon” siguri, ndërsa vendi kandidat shtet ligjor dhe zhvillim ekonomik e social. Parimi i fundit është risia e madhe. Këtu, Franca propozon një proces të kthyeshëm.

Sa u takon ndryshimeve dhe fazave; së pari, kërkohet ndryshimi i strukturës së negociatave të bisedimeve. Sot, procesi i integrimit nis me marrëveshjen e stabilizim-asociimit, statusin kandidat dhe më pas negociatat. Këto të fundit janë të ndara në kapituj, që shfletohen mes qeverive të vendeve kandidate dhe Bashkimit Europian një nga një. Në vend të kapitujve, Franca propozon ndarjen e këtij procesi në faza.

Së dyti kërkohen kushte më të qarta dhe të përforcuara për forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik e social.

Së treti, Franca mendon se në një pjesë të mirë të rasteve, raportet e progresit të Komisionit Europian nuk përputhen me progresin real të vendeve kandidate, ndaj kërkon ristrukturimin e mekanizmit të vëzhgimit të progresit që kanë realizuar vendet kandidate.

Në fund, ndryshe nga procesi aktuale, që është i pakthyeshëm, pra nëse një vend merr statusin e vendit kandidat, ky status nuk mund të hiqet më, Franca propozon që procesi të jetë i kthyeshëm, që do të thotë se Brukseli i rezervon vetes të drejtën, që nëse vëren regres në një vend të caktuar kandidat të rikthejë procesin e anëtarësimit në një fazë pararendëse, bllokimin e ndihmës financiare, apo edhe vetë bllokimin e të gjithë procesit.

Franca thotë se kjo pikë është e domosdoshme për të shmangur paradokset e trashëguara nga e shkuara, siç është rasti i Turqisë, që nga njëra anë gëzon statusin e vendit kandidat prej vitesh, ndërsa nga ana tjetër është në prag të një lufte tregtare të hapur me Bashkimin Europian.

Drafti pritet që t’i dorëzohet gjatë samitit të dhjetorit Këshillit Europian për diskutim, ndërsa brenda janarit, Komisioni Europian duhet të diskutojë rregullat për procesin e zgjerimit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë