Bota

Zgjedhjet në Greqi, përballje mes Mitsotakis dhe Tsipras. Në garë edhe 7 kandidatë shqiptarë

Në Greqi qytetarët do të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re. Nga ora 07:00 qendrat e votimit janë hapur ku do të votojnë rreth 9.8 milionë votues , për të zgjedhur 300 deputetët e Kuvendit të Greqisë për periudhën 2023-2027.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 ku zgjedhësit kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Procedura mund të zgjatet nëse përfaqësuesi gjyqësor konstaton se ka ende qytetarë që presin të votojnë në një qendër votimi.

Sipas Kushtetutës greke dhe kodit zgjedhor, ushtrimi i të drejtës së votës është i detyrueshëm. Përjashtohen nga detyrimi personat mbi 70 vjeç, ata që janë jashtë vendit ditën e votimit, ata që nuk mund të lëvizin për arsye shëndetësore dhe zgjedhësit që janë regjistruar në listat e posaçme.

Sondazhet nxjerrin sërish fituese partinë e kryeministrit aktual Kyriakos Mitsotakis, i ndjekur nga SYRIZA e ish kryeministrit Aleksis Tsipras. Ndërkohë që rritje pritet të ketë PASOK dhe Partia Komuniste e Greqisë.

E megjithatë, megjithëse parashikohet si i preferuar, Mitsotakis do t’i duhet të formojë një koalicion që të ketë mundësinë të drejtojë vendin për një mandat të ri. Në qoftë se edhe ky skenar dështon, atëherë shkohet në një raund të dytë votimi, në korrik.

Në këto zgjedhje do të garojnë dhe shtatë emigrantë shqiptarë.

Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika garojnë për partinë PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik. Ndërsa tre të tjerë, Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari kandidojnë me Partinë “Siriza” në Selanik dhe Evia. Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë