Nga Gazeta ‘Si’- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, u bënë sot apel zgjedhësve, partive politike dhe palëve të tjera të angazhuara në këtë proces të kenë kujdes në respektimin e ligjit sa u përket administrimit dhe përpunimit të të dhënave personale.
“Konsiderojmë si detyrë tonën parësore të garantojmë që të drejtat themelore të shtetasve të respektohen në çdo hap duke zbatuar Kodin Zgjedhor,” thanë ato të një deklaratë për shtyp.
Ata theksojnë se, “çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në kritere të qarta ligjore dhe të kuptueshme për shtetasit. Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre”.
“Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve,” shtojnë ata.
Komisionerët nënvizojnë se, “të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre”.
“Të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit,” thuhet më tej në deklaratë.
“Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të jenë të përgjegjshme për çdo shkelje të parimeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të jenë të hapura ndaj mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente,” vijon deklarata.
Sipas tyre, “zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale ndihmon në përforcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe ruajtjes së besimit tek proceset demokratike”.
Duke marrë parasysh rreziqet e mundshme që mund të sjellë përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale të zgjedhësve, ata inkurajojnë qytetarët dhe subjektet zgjedhore që në rastet kur evidentojnë shkelje apo cenim të të dhënave personale të ankohen pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.