Gazeta Si – Prokuroria e Përgjithshme njofton se janë regjistruar deri tani 14 kallëzime penale në 6 qarqe në Prokuroritë me Juridiksion të Përgjithshëm, që kanë të bëjnë me fushatën elektorale dhe zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Sipas njoftimit për mediat, rastet në Tiranë, Fier, Sarandë, Durrës, Elbasan e Gjirokastër, e që janë regjistruar deri ditën e sotme, 28 prill.
“Burimet e njoftimit të veprave penale për kallëzimet e regjistruara, kanë qenë në 7 raste policia gjyqësore, në 3 raste Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në 2 raste subjektet politike, një rast është nisur kryesisht, ndërsa në një rast burimi ka qenë një shtetas”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.
Nga raportimet, rezulton se 5 nga kallëzimet e mësipërme, janë regjistruar në Prokurorinë e Fierit, 3 në Prokurorinë e Sarandës, 2 respektivisht në Prokurorinë e Tiranës dhe Gjirokastrës dhe nga 1 rast në Prokuroritë Durrës dhe Elbasan.
“Nga kallëzimet e kryra deri më 28.04.2025, janë regjistruar gjithësej 7 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 328/a dhe 329 i Kodit Penal”, vijon njoftimi.
Këto kallëzime i përkasin kategorive proceduriale për veprat penale “pengimi i subjekteve zgjedhore”, “dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike, ose zgjedhore” dhe “kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.