Editorial

Zeusi që i shpërtheu policisë

Bordi Editorial - Menjëherë sapo mori mandatin e parë, Rilindja kishte nevojë t’u tregonte të djathtëve të rrëzuar në opozitën se nuk do kishte më 21 janar në Bulevard, për pasojë as të vrarë. Dhe se gjithkush mund të protestonte. Si një nga gjetjet sfiduese e ndoshta dhe relaksuese ndaj turmës, ndoshta edhe mendësi e një kodi të vjetër kanuror që nuk vihet dorë mbi femrat, ish-ministri Tahiri, i cili u shqua për “performanca artistike” vendosi femra police në rresht të parë, në ballëz me protestuesit. Në protestën e parë të opozitës, pikërisht para Kryeministrisë, shqiptarët panë një kordon femrash police të zgjedhura si me dorë, të gjitha të reja dhe të bukura. Vajzat e policisë qëndruan në rresht të parë dhe spikatën gjatë protestave të opozitës së vitit 2014,  e mandej edhe të 2015 e 2016 që ishin akoma më masive dhe më agresive (të përshkallëzuara), por jo të dhunshme. Në disa raste formula thyhej një polic mashkull - një femër, por vajzat police përherë qëndronin aty. Media gjatë këtyre raportimeve çdo herë përmendte korin e femrave, por ndërkohë vërente se dhjetëra policë të tjerë të të gjitha reparteve “fshiheshin”zakonisht pas Kryeministrisë, grumbulloheshin mbas Piramidës ose pranë Televizionit Publik Shqiptar. Përdorimi i policisë si dekor kryesisht në bulevard dhe kordoni i policeve femra nuk u kundërshtua asnjëherë gjatë këtyre mandateve as nga Sindikata e Policisë, e cila mund të godiste këtë veprim në gjykatë për shpërdorim detyre nga zyrtarët e policisë që po evitonin trupat e trajnuar dhe që paguhen për të mbajtur nën kontroll protestat, por përdorte në vend të tyre pikërisht më të pakualifikuarit për ngjarje të tilla. Derisa erdhi kjo e enjte.

Protesta e banorëve të Astirit, një grup njerëzish që prej ditësh po tregoheshin gjithnjë e më agresiv, nxori në dritë rrëmujën e policisë shqiptare dhe nevojën që ajo ka të organizohet dhe t’i rikthehet rëndësisë së strukturave sipas emërtesave që ka secila prej tyre. Kordoni i policeve femra ishte sërish aty, si një nga makijazhet e radhës së policisë. Por, policia që është e trajnuar dhe që merret me protestat, nuk është forca e posaçme Shqiponja, ku një prej tyre ishte Ina Nuku, e cila këputi tre gishta nga hedhja e një kapsolleje nga protestuesit. As policia e rendit. Ata mund të jenë të pranishëm në disa forma përreth perimetrit të protestës. Por, policia kompetente për protestat janë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ata trajnohen dhe qëndrojnë në repartin e Vaqarit çdo ditë, 24 orë ashtu si edhe FNSH  në rrethe, pikërisht duke u trajnuar si të reagojnë e të vendosin nën kontroll një turmë dhe si të mos bëhen shkak që reagimi i qytetarëve të përshkallëzohet.

Por, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë edhe në këtë protestë ishin pas kordonit zbukurues. Ato duhet të gjendeshin aty me veshje robokop, dhe me pajisjet kundërtymuese. Sepse kështu e thotë rregullorja për grumbullimet e paligjshme që askush të mos lëndohet. Kjo nuk ndodhi as në këtë paradë. Ndërkohë, policia kriminale duhet të kishte informacionine duhur dhe t’ua përçonte shefave, të cilët sërish si edhe në mjaft protesta që janë mbyllur në mënyrë të paparashikueshme, qëndronin në vendngjarje si zbukurues. Përse policia nuk kishte informacion se aty do të përdoreshin tymuese dhe kapsolla tip Zeus, që konsiderohen të rrezikshme për këdo? Përse policia shqiptare i ka zhvendosur dhe e ka harruar planin e masave tip që ndërmerr?

Prokuroria njofton se janë plagosur 15 efektivë dhe disa qytetarë dhe janë hapur hetimet kryesisht për të paktën pesë akuza që nga kundërshtimi i policisë deri te plagosja e rëndë dhe prodhimi i armëve shpërthyese. Derisa hetimet të kenë një emër, Shërbimi i Brendshëm (SHCBA) duhet të hetojë për të kuptuar se çfarë veprimesh ka kryer zinxhiri komandues përpara se të zbriste policët e t’i rreshtojë një më një, në pritje të një proteste. Të një proteste ku asnjëri prej tyre nuk ishte në front të saj, por vetëm femrat e bukura, të zellshme, të mira të policisë. Kapsolla Zeus që dëmtoi policët dhe më shumë Ina Nukun e repartit Shqiponja, duhet të zgjojë nga gjumi policinë, e cila nuk është për të zbukuruar si dekor krishtlindjesh Kryeministrinë, por për t’i treguar publikut se është e aftë të garantojë me profesionalizëm sigurinë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë