Histori

Zemra e përgjakur e mafies siciliane, sipas rrëfimit dhe fotove të Letizia Battaglias

Nëse Letizia Battaglia, mund t'u tregojë amerikanëve një gjë, është që të ndalojnë së shikuari "The Sopranos" (“Sopranot”, një serial amerikan, që tregon jetën e një familjeje mafioze italo-amerikane në Nju Xhersi, e udhëhequr nga Toni Soprano).

"Amerikanët e duan ‘The Sopranos’, - thotë fotografja siciliane për CNN. - Ata nuk besojnë se mafia është si ata që shohin në TV, por është e rrezikshme si ISIS".

Battaglia duhet ta dinte. 81-vjeçarja ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj duke dokumentuar efektet shkatërruese të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Siçili dhe thotë se i duket e mrekullueshme ngjashmëria midis ISIS-it dhe Mafies.

"Kur shoh ushtarë të ISIS-it, ndihem sikur janë pak si mafiozë, - thotë Battaglia. - Ata nuk duan t’ia dinë për jetën e tyre. Mafia nuk jep asgjë për asgjë, përveç interesave dhe parave të tyre dhe nuk u intereson se kë lëndojnë gjatë rrugës”.

Battaglia e filloi karrierën e saj vonë, duke pritur derisa fëmijët e saj të ishin rritur para se ajo të ndiqte vërtet qëllimin për t'u bërë një shkrimtare. Për Battaglian, kjo do të thoshte ta linte burrin e saj në vitin 1971 dhe të transferohej në Milano, ku ajo filloi të punonte në biznesin e gazetave.

Disi kontroverse, ishte puna e saj me fjalët e shkruara që do ta katapultonte më pas drejt fotografisë. "Unë propozova disa artikuj dhe ata thanë, ‘po fotografitë?’... Kështu që bleva një aparat fotografik”, - tha ajo për CNN.

Disa vjet më vonë, një gazetë antimafia dhe anti-fashiste, i ofroi asaj një punë si fotografe në Palermo, Siçili. Battaglia e pranoi ofertën dhe u kthye në qytetin e saj të lindjes, ku do të kalonte disa dekada, duke dokumentuar bukurinë dhe brutalitetin që përcaktoi jetën e siçilianëve.

Battaglia nuk mund të kishte zgjedhur një kohë më të mirë për të nisur shërbimin e saj si fotoreportere. Përgjatë kësaj kohe, kur ajo filloi karrierën e saj me seriozitet, mafia siçiliane nisi kalimin nga krimi i organizuar, në tregtinë e heroinës, duke shkaktuar shumë viktima.

"Pati një rritje eksponenciale të dhunës mafioze rreth kohës kur Letizia Battaglia nisi këtë punë”, - i tha CNN, John Dickie, profesor i Studimeve Italiane në University College në Londër.

Në të vërtetë, nga vitet 1980, mafia siçiliane kontrollonte afërsisht 80% të tregtisë së heroinës në veri-lindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët anëtarët e saj, shpesh do ta shpërndanin përmes dyqaneve të picerive të zotëruara nga mafia.

Ndërsa këto ekonomi të paligjshme u zgjeruan, klanet mafioze do të bashkoheshin dhe luftonin me njëri-tjetrin në mënyrë që të kontrollonin tregtinë e narkotikëve dhe kështu të kapnin pasurinë e saj.

Nga viti 1981 deri në 1983-in, ajo që u bë e njohur si Lufta e Dytë e Mafies, do të merrte mijëra jetë, përfshirë ato të gazetarëve, policisë dhe zyrtarëve të zgjedhur.

Lufta mbaroi vetëm kur klani famëkeq “Corleonese” vrau mjaft kundërshtarë të tij për të fituar kontrollin e mafies.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë