Bota

Zelenski thotë se fitorja ‘varet nga SHBA’. Erdogan: Krimeja t’i kthehet Ukrainës

Gazeta Si - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, tha se plani i Ukrainës për të mposhtur Rusinë varet nga mbështetja e Uashingtonit.

Këto deklarata ai i bëri pas takimit në Kiev me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Sa i përket planit të fitores... varet kryesisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë”, tha Zelenski gjatë një konference për media.

Deklaratat e tij vijnë vetëm dy muaj para se në SHBA të mbahen zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave mund të paraqesë sfidë për Ukrainën.

Zelenski tha se ai ka një plan, sipas të cilit, lufta do të përfundonte deri në nëntor, kur edhe mbahen zgjedhjet në SHBA.

Ai ka argumentuar se inkursioni i befasishëm i trupave ukrainase brenda rajonit Kursk të Rusisë i lejon Kievit që të hyjë në negociata të mundshme nga një pozicion i fuqisë.

Në qershor, Ukraina mbajti një samit të paqes në Zvicër, ku udhëheqësit dhe zyrtarët kryesorë nga më shumë se 90 shtete morën pjesë, por Rusia nuk u ftua në samit. Zelenski që atëherë ka thënë se Moska do të duhet të përfshihet në një takim të radhës.

Kremlini, që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve që kur Ukraina nisi ofensivën në Kursk.

"Mbështetja jonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, mbetet e palëkundur". Kështu u shpreh presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan në një video-mesazh dërguar në samitin e katërt të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, siç raporton TV shtetëror, TRT.

“Ne sinqerisht shpresojmë se lufta do të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në bazë të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, tha lideri turk, duke shtuar se “kthimi i Krimesë në Ukrainë, është një kërkesë e ligjit ndërkombëtar".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë