Ngjarje

Zbulohet pakti i fshehtë: Bisedimet hapen vetëm me Maqedoninë, Jo Shqipëria!

Agjencia e lajmeve “Reuters” duket se ka zbuluar marrëveshjen e fshehtë të arritur ditët e fundit në qarqet e BE-së për sa i përket çështjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke bërë të ditur se vendet anëtare kanë rënë dakort që në shtator të hapin negociatat vetëm për Shkupin.

Në një artikull të gjatë agjencia prestigjioze ka intervistuar një sërë diplomatësh të lartë të BE-së të cilët thonë se Maqedonia e Veriut ka shumë gjasa të marrë mbështetjen e vendeve anëtarë europiane për hapjen e negociatave të anëtarësisë gjatë këtij viti, sesa Shqipëria. Sipas tyre vendi ynë përballet me kundërshtimin e Francës, Gjermanisë dhe Holandës.

Sipas “Reuters”, goditja më e madhe duket se vjen nga qeveria gjermane, e cila dëshiron të hapë bisedimet e anëtarësimit vetën për Maqedoninë e Veriut, por nuk ka një qëndrim pozitiv për vendin tonë, të cilin e djathta e qendrës në koalicion e sheh si shtet problematik. Tani për tani dhoma e ulët e Bundestagut ra dakord të shtynte çdo vendim deri në shtator.

“Pavarësisht retorikës së BE se blloku ka nevojë të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të çimentuar rrugën e tyre drejt Europës dhe larg influencës ruse e kineze, ndjenjat anti-emigracion kanë ngritur dyshime në disa shtete veriore të BE”, shkruan “Reuters”. “Të përkrahura nga një numër sërë qeverish të vendeve të BE-së dhe nga Komisioni Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresonin që ministrat e bllokut t’u jepnin dritën jeshile për negociatat në takimin e ardhshëm në Luksemburg. Kjo do të kishte hapur rrugën për aprovimin nga liderët e BE në samitin e Brukselit më 20-21 qershor”, thekson agjencia.

Artikulli i "Reuters"

Por zyrtarë të BE-së kanë bërë të ditur për “Reuters” se asnjërit prej dy vendeve nuk do t’i jepet konfirmimi për negociata këtë verë, ndonëse 13 vende anëtare, përfshirë Italinë e Poloninë si dhe Presidentin e Këshillit të Evropës Donald Tusk dhe Komisionin, kanë bërë thirrje publikisht për nisjen e bisedimeve formale. Por agjencia franceze bën të ditur se vendet anëtare kanë arritur tanimë një marrëveshje: hapjen e negociatave me Shkupin në shtator.

“Tani, marrëveshja më e fundit është arritja e një pakti midis qeverive të BE në shtator, por vetëm për Maqedoninë e Veriut, e cila do të hyjë edhe në NATO më 2020”, shkruan media e njohur.

“Maqedonia e Veriut ka një shans të mirë, duke parë rezolutën historike për çështjen e emrit”, thotë një zyrtar i lartë i BE për “Reuters”. Ndryshimi i emrit nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë Veriore i dha shtysë Shkupit dhe ka shanse të bindë Parisin, Berlinin dhe Hagën për të mbështetur hapjen e negociatave”, shton ai, duke mos qënë aspak pozitiv përsa i përket vendit tonë. “Por Shqipëria është ende probleme i madh për disa qeveri. Nuk duket shumë premtuese”, tha zyrtari.

“I perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Europës sipas Transparency International, Shqipëria që ndërkohë është anëtare e NATO-s – ka bërë vetëm progres të limituar në luftën kundër pastrimit të parave thonë zyrtarë amerikanë dhe evropianë, pavarësisht shkarkimit të gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar”, shkruan “Reuters” Edhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësinë në BE: Bosnja, Kosova dhe Serbia e Mali i Zi, që janë më të avancuara.

Edi Rama dbe Zoran Zaev

Në qershor 2018, Franca dhe Holanda bllokuan befasisht nisjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut , duke kërkuar më tepër reforma.

Me zgjedhjet për Parlamentin Evropian tashmë të mbyllura, pritej që Franca e Holanda të ndryshonin qendrim, teksa selia e BE-së ftoi kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin maqedonas Stevo Pendarovski në Bruksel.

Gjatë një vizite në Bruksel në fillim të këtij muaji, Sokol Dedja, zëvendësministër i jashtëm i Shqipërisë, tha se ishte koha që blloku të mos e përdorte më nevojën për reforma paraprake “si mënyrë për të mbajtur vendet jashtë Bashkimit Europian”.

Bisedimet e anëtarësisë në BE, të cilat normalisht zgjasin deri në një dekadë, janë de facto një proces reformash për të sjellë kandidatët në nivelin e BE. Pavarësisht fitoreve në zgjedhjet evropiane të së djathtës së largët në Itali, Poloni e Hungari, bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nuk duket se luajtën në favor të atyre që kërkojnë ndalimin e emigracionit”, shkruan “Reuters”. Megjithatë, më 11 qershor, parlamenti holandez miratoi një mocion kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndonëse nuk u miratua ndonjë mocion i ngjashëm për Maqedoninë e Veriut”, përfundon shkrimin e saj agjencia franceze e lajmeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë