Dosje

Zbulohet makina e vrasësve të Ardian Nikulajt, motori u fsheh në një ‘Land Rover’ pas krimit

Gazeta Si - Një makinë tip “Land Rover Defender” me targa zvicerane dyshohet se priste vrasësin e Ardian Nikulajt në fshatin Kukël, mes Lezhës dhe Shkodrës.

Pasi autori u largua me motor i pa shqetësuar me ndihmën e bashkëpunëtorit, hipën motorin në fuoristradë dhe më pas largohen drejt zonës së Velipojës.

Lëvizjet e mjetit u filmuan nga kamerat e sigurisë në zonë dhe pritet të hedhin dritë mbi atentatin ndaj biznesmenit Nikulaj.

LEXO EDHE:
- Hetimet për vrasjen e biznesmenit, autori i dyshuar i humbi gjurmët në zonën e Gjadrit
- VIDEO/ Pamje të rënda! Momenti kur vritet biznesmeni në Shëngjin, autori profesionist përshëndet viktimën, afrohet dhe qëllon

Makina me targa zvicerane dyshohet se e ka pritur atentatorin një rrugicë të pa mbuluar nga kamerat që dyshohet se e kanë studiuar më herët për të vëzhguar objektivin e sulmit para krimit.

Kamerat e kanë kapur dy ditët e fundit para krimit duke patrulluar në zonën e Shëngjinit dhe pranë lokalit “Coral” ku ndodhi atentati.

Në pamje, duken një burrë dhe një grua, të cilët nuk janë identifikuar ende dhe nuk përjashtohet mundësia se mund të jenë të maskuar. Makina rezulton në pronësi të një shtetasi italian.

Sa i takon hetimeve që grupi hetimor është duke kryer, mësohet se janë marrë në pyetje edhe disa persona në qytetin e Shkodrës. Deri në këtë fazë, ata nuk kanë dhënë detaje që mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorit.

Ekspertët e krimeve janë përqendruar dhe tek përshkrimi që dëshmitarët okular i kanë bërë vrasësit, i cili sipas tyre ishte rreth 1.90 i gjatë, me dialekt nga veriu ose Shqipëria e Mesme. Nga pamjet e kamerave të sigurisë vrasësi me motor humbet në zonën e Gjadrit.

Pavarësisht provave të ndryshme materiale të administruara, pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të ndryshme policia, nuk është ende pranë identifikimit të autorit apo bashkëpunëtorëve në vrasjen e biznesmenit.

Deri në gjetjen e një prove të vlefshme policia dhe prokuroria po thellojnë pista hetimore që lidhen kryesisht me aktivitetin social politik dhe ekonomik të viktimës por edhe gjakmarrjen.

Biznesmeni Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin. Nga 7 plumbat e shkrepura nga pistoleta tip “TT” në drejtim të biznesmenit Nikulaj, vetëm 5 prej tyre e kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit.

Plumbi fatal, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ishte ai në pjesën e ballit, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të biznesmenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë