Shendet

Zbulohet gjeni që shkakton leuçeminë akute

Leuçemia akute mieloide është një kancer agresiv i gjakut që prek njerëzit e të gjitha moshave. Një sëmundje që zhvillohet në palcën e kockave dhe përparon shumë shpejt. Simptomat, të cilat ndodhin herët, nuk janë specifike në fillim. Më vonë, lodhja, zbehja, gjakderdhja e shpeshtë, dhimbja e përhapur, humbja e peshës dhe tendenca e infeksioneve shfaqen për shkak të zvogëlimit të qelizave të bardha të gjakut të shëndetshme. Trajtimet tradicionale për këtë kancer kanë mbetur të pandryshuara për dekada dhe më pak se një në tre njerëz mbijetojnë pas diagnozës. Tashmë studiuesit në Institutin "Wellcome Sanger" zbuluan se një mutacion i saktë gjenetik, i lidhur me një prognozë të dobët të leuçemisë akute mieloide, është i përfshirë në zhvillimin e sëmundjes kur kombinohet me mutacione të tjera në qelizat e njeriut. Studimi, i botuar në revistën "Nature Communications", tregon se si mutacioni i humbjes së funksionit në gjenin CUX1 nxit zhvillimin e këtij kanceri në gjak.

Gjetjet tregojnë që shënjestrimi i një rruge thelbësore për rritjen e vazhdueshme të këtyre qelizave kancerogjene mund të çojë në zbulimin e terapive të reja. Më parë, përmes analizës së sekuencës së ADN-së në shkallë të gjerë, shkencëtarët zbuluan se mutacionet e humbjes së funksionit në gjenin CUX1 në kromozomin 7q janë vërejtur në kancere të ndryshme, përfshirë leukeminë akute mieloide. Sidoqoftë, roli i këtij gjeni ishte i paqartë. Në studimin e ri, ekipi përdori teknologjinë e redaktimit të gjeneve CRISPR / Cas9 për të treguar se problemi i CUX1 çon në zgjerimin e llojeve të caktuara të qelizave burimore të gjakut që janë të dëmtuar në apoptozë, e cila është një lloj vdekje e rregulluar e qelizave. U zbulua se humbja e CUX1 shkakton rritjen e shprehjes së gjenit CFLAR (kodifikimi i një proteine ​​që frenon apoptozën), duke ofruar potencialisht një mjet për qelizat neoplazike të mutuara për të shmangur vdekjen e qelizave dhe përhapjen e tyre. Shënjestrimi i CFLAR, ose në rrugë të përgjithshme për të shmangur apoptozën, mund të jetë një trajtim i mundshëm për njerëzit që jetojnë me leuçemi akute mieloide. Aktualisht nuk ka ilaçe të aprovuara klinikisht që kontrollojnë gjenin CFLAR. Burimi:Il Giornale/Përshtati:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë