Ka ndodhur

Zbulohen përgjues GPS nën dy makinat e 39-vjeçarit në Pogradec, u dyshua për tritol! I zoti i tyre pak javë më parë u arrestua pas një sherri masiv

Një sasi e dyshuar tritoli ka rezultuar në fakt në dy përgjues satelitorë GPS, nën dy makinat e shtetasit nga Pogradeci, Eris Çekani. Ky i fundit nuk është emër i panjohur për policinë, pasi pak kohë më parë ishte protagonist në një ndekje dhe përplasje me makina kundër një grupi tjetër rival, në aksin Pogradec-Elbasan.

LEXO EDHE:
Sherr nga Pogradeci deri në Elbasan, 5 të rinj ndjekin njëri-tjetrin dhe përplasen me makina

Dy makinat e 39-vjeçarit Çekani kanë qenë të parkuara pranë Prokurorisë në Progradec dhe roja e këtij institucioni ka parë autorët teksa kanë qenë duke vendosur një send poshtë automjeteve. Ai ka dyshuar fillimisht se bëhej fjalë për eksploziv, por pas mbërritjes forcave xheniere nga Tirana u konstatua që nuk ishte lëndë shpërthyese. Çekani këto 2 makina i lëshon me qira dhe mbetet mister motivi se përse atyre u është vendosur sinjalizues GPS (pa dijeninë e të zotit).

“Në lagjen nr. 3, Pogradec, nën dy automjetet në pronësi të shtetasit E.Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec (të cilat i lëshon me qira) janë konstatuar dy sende të dyshimta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Burime të policisë konfirmojnë se Çekani kohët e fundit ka pasur disa konflikte me persona të tjerë në Pogradec, ku më i fundit ishte ndjekja dhe përplasja me automjete në aksin Pogradec-Elbasan.

Nga ana e policisë, janë sekuestruar të gjitha kamerat në zonë, për të bërë të mundur identifikimin e personit që ka vendosur GPS, e për të zbardhur më tej rrethanat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë