Astronomët kanë identifikuar modelin e parë të besueshëm të një burimi të valëve radio që vijnë nga hapësirë të thellë, por ende nuk e dinë se çfarë e shkakton këtë fenomen. Sinjale të tilla kanë shqetësuar shkencëtarët që nga zbulimi i tyre në 2014, pasi origjina e tyre është një mister i plotë. Por tashmë ata kanë gjetur një burim valësh të tilla 500 milionë vite dritë larg nga Toka, burim që përfaqëson një model specifik.
Ai lëshon një sinjal për disa milisekonda një herë në orë, çdo orë për katër ditë. Pastaj hesht për 12 ditë para se të rifillojë ciklin e saj 16 ditor. Kjo është hera e parë që një model valësh radioje është regjistruar nga astronomët, por arsyet themelore nuk dihen. Sidoqoftë, shkencëtarët kanë përjashtuar deri tani se ky sinjal mund të jetë një komunikim alien, pasi sipas tyre, 16 ditë për një mesazh do të ishte jopraktik dhe joefikas. Modeli u zbulua pas 400 ditësh vëzhgime nga studiuesit në CHIME (Eksperimenti Kanadez për Hartëzimin e Intensitetit të Hidrogjenit). Disa valë radioje që përplaseshin në Tokë janë zbuluar edhe më parë, por ato ndodhën vetëm një herë nga vende të ndryshme të hapësirës; pra nuk kishin natyrë përsëritëse. Tani, astronomët në CHIME, të cilët nuk pranuan të komentojnë zbulimin e tyre, provuan se valët e radios të emërtuara “FRB 180916” kishin periodicitet të rregullt dhe prejardhje të njëjtë.
“Kjo është shumë domethënëse”, u shpreh për “Science News” Duncan Lorimer, një astrofizikant në Universitetin e Virxhinias Perëndimore në Morgantown. Sipas tij, “gjetjet e reja mund të na çojnë në një drejtim interesant për njohur më në fund natyrën përsëritëse të këtyre valëve”.
Astronomët spekulojnë se periodiciteti cdo 16 ditë i lëshimit të sinjalit radio mund të shpjegohet me faktin që objekti që lëshon sinjalin, mund të jetë duke lëvizur në orbitë përreth një objekti tjetër.
“Një periodicitet i tillë, nëse konfirmohet, do të ishte hera e parë që provohet lëvizja në orbitë e një burimi sinjalesh”, u shpreh për “New Scientist” Bing Zhang në Universitetin e Nevadas, Las Vegas.
Kjo do të thotë që dy objektet në orbitë rreth njëri-tjetrit e kompletojnë udhëtimin e tyre cdo 16 ditë, ndërsa Toka merr sinjalin radio në ditën e katërt, në një moment që njëri objekt nuk bllokohet nga tjetri.
Shkencëtarët nuk e dinë nëse sinjali i përsëritur është një anomali apo normë; në një kohë që duhet të luftojnë edhe me hamendësimin se ndoshta metoda e tyre për të kërkuar valë radio nga hapësira e thellë, mund të jetë e gabuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




