Drejtësia

Zbardhet vrasja e 2019-s në Lushnjë/ Gjykata jep 3 masat e arrestit, 2 prej të akuzuarve janë në burg në Greqi dhe tjetri në Shqipëri

Nga Gazeta Si - Zbardhet krimi i vitit 2019 në Lushnjë ku u vra me armë zjarri 40-vjeçari Besmir Hida. Baba i dy fëmijëve u ekzekutua me kallashnikov teksa pinte kafe në një lokal në lagjen “Skënder Libohova”.

Hetimet intensive janë kryer 8 muajt e fundit, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe ato të Prokurorisë.

LEXO EDHE:
Lushnjë, biznesmeni ekzekutohet duke pirë kafe

Të 3 autorët e vrasjes janë shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.
Autorësia e kësaj ngjarjeje është e dokumentuar me prova ligjore të siguruara gjatë hetimit intensiv.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për autorët e kësaj ngjarjeje, shtetasit:

Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht i arrestuar në Greqi. Ky shtetas u arrestua në Janinë, në maj të këtij viti, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë;

Orgest Bilbili, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht ndodhet në IEVP Drenovë, Korçë. Ky shtetas është dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ditën e djeshme, atij i është komunikuar masa e sigurisë, për vrasjen e ndodhur në vitin 2019.

Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me 11 vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë