Ka ndodhur

Zbardhet shpërthimi me tritol në Tiranë: 7 të arrestuar, porosia erdhi nga burgu

Gazeta Si – Shtatë persona janë arrestuar të dyshuar si autorët e shpërthimit të lëndës plasëse në automjetin e Oltjon Klosit, ngjarje e ndodhur më 10 mars në rrugën “Vasil Ndocka” në kryeqytet.

Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama 24 vjeç dhe Eklips Leti 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim; dhe Glentjan Kojtari 29 vjeç, Dorjan Hamolli 34 vjeç dhe Geris Molla 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, del se Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar, si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur.

Tre persona të tjerë u arrestuan, pasi ndihmuan autorin të largohej me makinë menjëherë pas krimit. Gjatë aksionit, policia sekuestroi si prova veshjet që autori mbante veshur atë natë, biçikletën, makinat e përdorura nga grupi dhe telefonat e tyre celularë.

Ndërkohë, Sabah Nuzi, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e Oltjon Klosit.

Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Nuzi ka luajtur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje dhe rezulton me precedentë të theksuar kriminale.

Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person.

Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë krejt i ri vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.

Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.

Ndërkohë, të gjithë të arrestuarit, të cilët njihen si persona me precedentë penalë, tashmë do të përballen me drejtësinë për shkatërrim prone dhe përkrahje të autorit të krimit.

Dyshohet se shkak për vendosjen e tritolit janë bërë konfliktet mes personave të përfshirë dhe shënjestrës i cili jetonte mes Spanjës dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë