Ngjarje

Zbardhet dinamika e atentatit në ‘Don Bosko’ / Autorët ndoqën shënjestrën për disa ditë, pritën 30 minuta që të uleshin në lokal

Nga Gazeta Si- Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me atentatin e së mërkurës në një lokal në "Don Bosko" ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Sipas zbardhjes së dinamikës, atentatorët kanë ndjekur prej disa ditësh lëvizjet e shënjestrës. Ndërsa ditën e ngjarjes autorët kanë pritur për gati 30 minuta në afërsi të lokalit ku ndodhi ngjarja, duke parkuar makinën në një cep pallati.

Ndërkohë që autorët i prisnin në makinë, dy të plagosurit kanë ardhur dhe janë ulur në verandë, siç bënin gati çdo ditë, sipas deklaratave të tyre. Nga kamerat e sigurisë dallohet se autorët kanë lëvizur me automjet për t'u siguruar se janë ulur aty dhe kanë saktësuar tavolinën.

Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes. Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.

Në Qerekë autorët e kanë djegur makinën në një zonë që nuk ka mbulim me kamera sigurie.

Ndërkohë targa që ka qenë i pajisur automjeti i autorëve i përket një makine në Valias të Kamzës. Këto targa janë të dubluara dhe nuk ka pasur denoncim për vjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë