Ngjarje

Pas vijave të “armikut”…. Zaptues-hallexhinj në një protestë

Mentor Kasa - Në kohën që Edi Rama nisi fjalën e tij në Kuvend për të mbrojtur projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, para godinës së seancave parlamentare u mblodhën ngadalë protestuesit e zonës së Unazës së Re.

Me pankarta në mbrojtje të ndërtimeve të tyre dhe slogane kundër Qeverisë numri i tyre nisi të shtohej gradualisht, e po ashtu edhe numri i forcave të policisë të thirrura për të përballuar këtë situatë.

Në ndihmë të forcave “Shqiponja” dhe grupit të gatshëm erdhën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që në fillimet e tubimit ruajtën distancën. Por, kur protestuesit çanë barrikadën e parë, efektivët e FNSH-së u vendosën menjëherë në rrugën hyrëse të Kuvendit, duke ndalur avancimin më tej të protestuesve.

https://www.youtube.com/watch?v=Kf2kCq8OliU

Protestuesit në këtë tubim ndaheshin në dy kategori kryesore. Një grup ishin ata të vijës së parë. Në të gjeje gra, pleq e të rinj dhe që të gjithë na thonë se kishin dalë për të mbrojtur “edhe me gjak nëse do të ishte nevoja shtëpitë e tyre”.

Në portretet e tyre, protesta disaditore reflektohet me lodhje, por njëkohësisht edhe me mllef e zhgënjm. Njëri prej tyre rrëfen për Gazetën “Si” gjithë peripecitë e banesës që ka ndërtuar në zonën e Unazës së Re.

“E kam shtëpinë pas atij biznesit “Karrige Pogradeci”. Jam nga Mokra. Kam mbërritur këtu para 18 vitesh. Tokën e bleva 12 mln lekë (të vjetra) në atë kohë dhe për 2-3 vjet kam jetuar në një barakë. Pashë që nisën të ndërtonin të gjithë shtëpi, e ndërtova edhe unë një të vogël. Kërkova atëherë që të merrja leje, por nuk ma dhanë”, thotë ai.

Por, pse e mori guximin që të ndërtonte pa leje? “Isha jashtë! Ndërtova vetëm një kat dhe ashtu e kam ende sot, me lagështi dhe pa hapësirë. Nuk ndërtova më, se nuk kisha mundësi, por edhe se nuk e dija se ç’do të bëhej me ne. Tani këta duan të ma prishin fare edhe atë. Ku të shkoj unë?”, na thotë banori.

Nuk preferon që të identifikohet me emër, por kur i kujtojmë deklaratat e Kryeministrit nga Kuvendi që i tuajti “zaptues të pronës publike e private”, nuk e mohon se mes tyre ka edhe të tillë.

“Edhe mund të ketë, por unë e kam blerë dhe aktin e shit-blerjes e kam dorëzuar edhe tek legalizimet. Unë vetë nuk bëj pjesë tek ata që kanë nga 2-3 apo 8 shtëpi e biznese. Unë vetëm këtë kam, prandaj po protestoj”, thotë ai.

Ai akuzon autoritetet shtetërore se po përdorin të gjitha mjetet për të përçarë protestën. Rrëfen me gisht një zonjë me xhup të kuq, që ishte gjithashtu në protestë së bashku me të. Zonja në fjalë sapo kishte patur një telefonatë nga zyra e ALUIZNI-t. Kontaktojmë me zonjën dhe na e konfirmon këtë.

“Më morën para 5 minutave në telefon. Thanë që kanë dërguar një zarf në adresën time. I pyeta nëse bëhej fjalë për kualifikim për legalizim, apo skualifikim. Nuk më kthyen përgjigje, por më thanë që përgjigjia ndodhej në zarfin që më kanë dërguar”, na tregon ajo.

Në vijën e dytë ishin protestuesit e prekur nga ky projekt, por që ose që i kishin legalizuar ndërtesat e tyre dhe kërkonin një dëmshpërblim më të lartë, ose që e kishin të zgjidhur problemin e strehimit.

“Me 40 mijë lek sa na kanë vlerësuar ne ndërtesat për metër katrorë, pse të mos protestojmë”, thonë ata.

Përfaqësues të opozitës nuk vonuan shumë dhe u shfaqën në protestën e banorëve, me në krye Ervin Salianjin, Luçiano Boçin e Aldo Bumçin nga PD dhe Klajda Gjosha, Kejdi Mehmeti dhe Floida Kërpaçi nga LSI. Deputetët dolën në mbështetje të protestuesve, por jo të gjithë e mirëpritën këtë protestë.

Një grup protestuesish “fajësuan” edhe Partinë Demokratike për situatën në të cilën ndodhen sot.

“Na premtuat legalizimet edhe ju, por asgjë nuk bëtë. Erdhët e ikët dhe na latë kështu, të merremi me këtë ne tani (Edi Ramën)”, iu drejtuan ata Aldo Bumçit. Përfaqësuesi i PD-së u mundua që t’i qetësojë, duke u deklaruar se nuk mund të fajësohej PD se po u prish Edi Rama shtëpitë.

“Ky po ju prish shtëpitë dhe ju vazhdoni të thoni fajin e ka Partia Demokratike”, u kundërpërgjigj Bumçi.

Gjatë këtij debati mes protestuesve dhe Aldo Bumçit, në “vijën e parë” të protestës u dhanë shkëndijat e ndezjes së përplasjeve me policinë. Nga protestuesit u hodhën kapsolla dhe shashka të tjera tymuese. Njëra prej tyre lëndoi një efektive, që u transportua menjëherë në drejtim të spitalit nga kolegët e saj.

Opozita pak rol kishte në këtë protest, jo më ta organizonte atë. Kjo konfirmohet edhe nga përgjigja që deputeti Ervin Salianji i ktheu njërit prej protestuesve kur ai e pyeti se çfarë do bënin më tej. “Nuk e di, të shohim çfarë do të bëjnë këta (protestuesit). Të presim”.

https://www.youtube.com/watch?v=SGu2EppHVe4

Këtu, protestuesit nisën përpjekjen e radhës për të çarë kordonin e FNSH-së, por hasën në rezistencë. Gjakrat u qetësuan sërish, por bilanci i kësaj përplasjeje ishte disa protestues të lënduar, mes të cilëve edhe një grua e moshuar që humbi ndjenjat dhe sipas policisë, 12 efektivë të plagosur nga goditjet me sende të forta dhe kapsollat shpërthyese.

Policia nga ana tjetër nisi identifikimin e personave që u treguan më aktivë në dhunën e ushtruar dhe disa prej tyre i prangosi në momentin që u shkëputën nga turma e protestuesve.

I vënë në dijeni të përplasjeve që ndodhën pak metra larg sallës ku deklaronte me këmbëngulje se banesat do të prishen, Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, ku përsëriti të njëjtin qëndrim dhe dënoi dhunën ndaj policisë.

https://twitter.com/ediramaal/status/1065566325211361281

Por, pavarësisht thirrjes dhe këmbënguljes së Edi Ramës se nuk ka kthim pas në vendimin e marrë nga Qeveria, duket se kthim pas nuk ka as për banorët, të paktën për një pjesë të tyre.

“Këtu do të protestojmë deri në vdekje”, ishte një prej parrullave të protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë